Largohet Roland Peqini, Kukësi: Nuk mbajmë peng askënd
Klubi i Kukësit ka reaguar pas zërave se presidenti Safet Gjici po mban “peng” disa lojtarë për t’u transferuar. Por reagon zyrtarisht klubi i Kukësit, sipas të cilave, sulmuesi Kushtrim Lushtaku pritet të vijë e të marrë leje-kalimin. Ai publikisht ka falënderuar dje klubin dhe tifozët për përvojën dhe mbështetjen që pati te Kukësi. Lushtaku prej 3 muajsh ka depozituar kërkesë pranë këtij klubit, sepse kërkon të largohet jashtë Shqipërisë. Dosti ka kohë që është larguar dhe ka mbyllur kontratën me klubin, ashtu si Dushku, Smajli, Pit, që s’kanë patur asnjë pengesë, pasi është zbatuar kontrata dhe palët s’kanë asnjë detyrim ndaj njëri-tjetrit. Po ashtu premtohet se edhe Hair Zeqiri do të marrë leje-kalimin sapo klubi ku do të shkojë të arrijë marrëveshjen me Kukësin. Hoxha dhe Peqini janë të lirë. Edhe emrat e përfolur për merkato më shumë janë fantazi. Kukësi e ka formatur ekipin dhe tani priten shumë pak ndryshime. Paraqitja ndaj Torpedos tregoi se prurjet e reja janë gërshetuar mjaft mirë me lojtarët ekzistues. Kukësi do të zbatojë me përpikmëri kontratat me lojtarët që vijnë dhe ata që ikin. Aktualisht, vëmendja është përqendruar te kalimi i turit në “Europa League”. Roland Peqini – Mbrojtësi në fjalë është lënë i lirë nga Kukësi. Ai ka kaluar disa dëmtime kohët e fundit dhe ka qenë i detyruar të qëndrojë më shumë larg fushave të blerta. Sidoqoftë, ka kujtime të bukura me verilindorët, ndaj ndarjen me ta kërkon ta shoqërojë me një mesazh. “Të dashur miq, të respektuar tifozë të Kukësit , të nderuar sportdashës. Nga sot aventura ime me Kukësin merr fund, por largohem me një respekt të pakufishëm për tifozët e mrekullueshëm kuksianë. I falënderoj pa masë për mbështetjen e tyre, që më kanë dhënë si në kohë të vështira, edhe në gëzimet që kemi ndarë bashkë. Largohem me kokën lart nga një ekip, ku më kanë shoqëruar gjithnjë lojtarë të jashtëzakoshëm dhe, mbi të gjitha, miq shumë të mirë. Peqini do të ngelet njëri prej jush. Siç kam thënë më 8 gusht 2013, pikërisht ditën kur historia mori një drejtim tjetër, “Kukësi ka qenë kështjella ime”. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e tifozëve kuksianë atëherë kur nuk kam qenë i gatshëm për të luajtur, sepse në çdo rast kam qenë, jam dhe do të mbetem njëri prej jush! Faleminderit qytetarë dhe tifozë të Kukësit!”
KOHA JONË SONDAZH

