Lautaro rrëfen zhgënjimin pas finales së Botërorit: Doja të luaja, por respektoj zgjedhjen e trajnerit!
Lautaro Martinez ka folur për eksperiencën e tij në Botërorin e fundit dhe veçanërisht për vendimin e trajnerit Lionel Scaloni për ta lënë në stol gjatë finales së humbur ndaj Spanjës.
Në ceremoninë e Gran Galà del Calcio AIC, sulmuesi i Interit pranoi se dëshira e tij ishte të luante, por theksoi se nuk dëshiron të vërë në diskutim zgjedhjet e trajnerit.
“A jam i zhgënjyer që nuk luajta në finale? Sigurisht që një futbollist dëshiron të luajë gjithmonë. Kemi një skuadër me kampionë dhe lojtarë të nivelit shumë të lartë, por duhet respektuar zgjedhja e trajnerit”, u shpreh Lautaro.
Argjentinasi e konsideron këtë Botëror edhe si një lloj revanshi personal, pas vështirësive që kishte përjetuar në turneun e zhvilluar në Katar.
“Këtë herë u përgatita në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj se bëra një Botëror shumë të mirë. Jam personalisht i lumtur, për mua ishte një revansh, sepse në Katar nuk kisha ardhur në gjendjen më të mirë”, tha kapiteni i Interit.
Lautaro u ndal edhe te kritikat dhe zërat që shoqërojnë futbollin, duke iu referuar edhe deklaratave të shokut të skuadrës, Alessandro Bastoni.
“Këtë herë u përgatita edhe mendërisht. Ka shumë zëra që qarkullojnë, siç tha edhe Bastoni. Kur kjo bëhet me respekt, e pranoj. Kur bëhet pa respekt, nuk e pranoj”, përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

