Lerda: Kartoni i kuq nuk ishte, luajtëm më mirë me 10 lojtarë
Trajneri i Partizanit, Franco Lerda është shfaqur shumë i nervozuar pas barazimit ndaj Teutës, duke u shprehur se gjyqtarët po gabojnë në ndëshkimin me kartonë të kuq të futbollistëve të tij. Strategu italian vlerësoi lojën e lojtarëve të tij që dhanë shpirtin në fushë.
“Një ndeshje e luajtur një orë ndaj të parës në klasifikim me një lojtar më pak pas një kartoni të kuq që nuk ekzistonte, duhet t’i bëj komplimente lojtarëve. Bëmë më mirë me 10, sepse me 11 nuk na lanë të luanim. Nëse do të ishim me 11 ndeshja ndoshta do të mbaronte në mënyrë ndryshe. Dua t’i bëj komplimente djemve por sot ka qenë shumë e vështirë që të fitohej.
Të kuqtë janë shumë, është faji i gjyqtarëve. Shihni të kuqtë që kemi marrë. Kjo më shqetëson. Kartonët që jepen. Shihni të parin e Romeros, shihni edhe kartonin e kuq me roveshatë të Solomon. Skuadra nuk është as nervoze dhe as që bën faulle, janë të tjerët që duhet të shohin pamjet. Romero kapi topin te i pari dhe mori të verdhë. Nëe i sheh vetëm si numra mund të thuash ashtu, por janë situatat”, tha Lerda.