Lerda: Të gjitha ndeshjet si finale, Skënderbeu ekip i vështirë
Trajneri i Partizanit, Franco Lerda kërkon maksimal nga futbollistët e tij në prag të përballjes ndaj Skënderbeut, e cila do të jetë e vështirë sipas tij. Strategu italian ka theksuar se kjo fitore do të jetë shumë e rëndësishme për të marrë kreun e tabelës.
“Është një moment i rëndësishëm, pasi luajmë ndaj skuadrave me nivel dhe që synojnë kreun. Për ne ndeshja e nesërme është e rëndësishme. Të mendojmë për të njëherë dhe pastaj të shikojmë Kukësin. Skënderbeu vjen nga një moment i mirë dhe është takim i rëndësishëm për ne. Të gjitha janë të rëndësishme për ne. Në kokë duhet të kemi që ndeshja pasardhëse gjithmonë është një finale. Do i japim rëndësinë maksimale këtij takimi.
Skënderbeu ka cilësi si skuadër, luajnë futboll. Vijnë nga një moment i mirë, si në lojë edhe në rezultate. Në ndeshjen e fundit kundër Kukësit kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. Meritonim më shumë ndaj një ekipi shumë të fortë. Golat që kanë pësuar duhen marrë në konsideratë, por duhet të kuptojmë momentin që janë, ndryshimet që kanë bërë. Mundën Luftëtarin me vështirësi dhe më pas bënë atë ndeshje me Kukësin. Janë një ekip për t’u vlerësuar.
Forma? Nuk jemi akoma në maksimumin tonë. Po punojmë për këtë dhe rezultatet të ndihmojnë për të shkuar aty ku duam. Rezultatet e motivojnë skuadrën dhe na çojnë në rrugën e duhur për të kapur formën maksimale.
Dy fitore radhazi? Shpresojmë që të jetë momenti i duhur. Shiko, jeni i sigurt që nuk kemi fituar dy ndeshje radhazi?! E kemi bërë në javën e dytë dhe të tretë me Luftëtarin dhe Flamurtarin. Presim që skuadra të tregojë personalitet, të bëjë atë që di më mirë dhe të fitojë”, deklaroi strategu italian.