Letoni–Shqipëri/ Kërkohet të thyhet mallkimi i barazimeve, Sylvinho synon 3 pikët

Letonia dhe Shqipëria do të zbresin nesër në mbrëmje në fushën e “Skonto Stadium” në Riga për një duel që i kapërcen kufijtë e tri pikëve. Bëhet fjalë për një përballje vendimtare në kuadër të Grupit K të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, me një peshë të dyfishtë: renditje dhe histori.

Përplasja mes dy kombëtareve ka qenë gjithmonë në kufijtë e baraspeshës. Pesë ndeshje, pesë barazime dhe një golaverazh i ngjashëm 6-6. Nga 1992 deri më 1999, asnjëra nuk ka mundur ta thyejë tjetrën, madje edhe përballja e fundit, spektakolare në “Qemal Stafa” në shtator 1999 – përfundoi 3-3. Por nesër në Riga, ky ekuilibër i pazakontë historik rrezikon të shembet.

Kuqezinjtë e Sylvinhos vijnë në këtë ndeshje në pozita më të favorshme, të dytët në grup pas tre takimeve: humbje 2-0 me Anglinë, fitore bindëse 3-0 ndaj Andorrës dhe barazim 0-0 me Serbinë në Tiranë. Fitorja ndaj Letonisë do t’i ndihmonte të thellonin diferencën me ndjekësit dhe të konsolidonin vendin e dytë, që mund të rezultojë jetik në garën drejt Botërorit 2026, organizuar në Amerikën e Veriut.

Për më tepër, statistikat janë në anën e Shqipërisë: tre gola të shënuar, vetëm dy të pësuar dhe një pozicion mjaftueshëm më i lartë në renditjen e FIFA-s, vendi i 66-të, kundrejt vendit të 138-të ku qëndron Letonia.

Përfaqësuesja letone nuk po kalon një formë të mirë. Humbja 3-0 ndaj Anglisë dhe barazimi pa shkëlqim në miqësore me Azerbajxhanin kanë lënë shenja, edhe pse fitorja ndaj Andorrës shërbeu si ogur pozitiv. Në sytë e tifozëve vendas, Letonia do të kërkojë të rigjejë shpirtin luftarak dhe të ndalë një Shqipëri që vjen me entuziazëm dhe objektiva të qartë.

Për kuqezinjtë, ky është momenti për të kaluar nga historia e “barazimeve të përjetshme” në kapitullin e fitoreve dhe të ambicieve globale. Në një stadium të ftohtë, pritet një betejë e nxehtë, ku më shumë sesa tri pikët, në lojë është një hap drejt ëndrrës së madhe.

SHKARKO APP