Leverkusen ngec ndaj St.Pauli-t, i “dorëzon” titullin Bayernit

Java e 30-të e Bundesligës u mbyll me përballjen mes St. Pauli dhe Bayer Leverkusen, e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Leverkusen kaloi i pari në avantazh në minutën e 30-të me një gol me kokë nga Patrik Schick, pas një krosimi të saktë të Grimaldo nga këndi.
Vendasit reaguan në pjesën e dytë dhe arritën të barazonin shifrat në minutën e 77-të, falë një gabimi të rëndë nga portieri i Leverkusen. Ishte Boukhalfa që përfitoi nga pasiguria në mbrojtje dhe shtyu topin në rrjetë duke vendosur baraspeshën.
Ky barazim pritet të ketë ndikim të madh në garën për titull, pasi Leverkusen tashmë ndodhet tetë pikë prapa Bayern Munich, kur kanë mbetur vetëm katër javë deri në fundin e kampionatit. Nga ana tjetër, St. Pauli duket se e ka siguruar pothuajse matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit gjerman për sezonin e ardhshëm.