Lewis Hamilton kampion bote!
Lewis Hamilton me Mercedes ka fituar garën e zhvilluar në Austin, SHBA, duke korrur suksesin e 10-të sezonal. Por, mbi të gjitha, piloti britanik ka siguruar titullin e tretë kampion në Formula 1 në karrierën e tij, i dyti radhazi, duke konfirmuar se është një kampion i padiskutueshëm, në një sezon që e dominoi dhe mbylli para kohe. Por suksesi i fundit i erdhi dhuratë nga shoku i tij i skuadrës Nico Rosberg, 7 xhiro nga fundi, që gaboi dhe i la rrugën e hapur pilotit britanik drejt titullit.
Gjermani, që deri në ato momente kryesonte në garë, bëri një gabim dhe Hamilton e parakaloi, duke e ruajtur kreun deri në fund. Nico Rosberg doli i dyti me Mercedesin e tij, por kjo s’mjaftoi për të dueluar ende për titull, ndërsa i treti u rendit Sebastian Vettel me Ferrari, që bëri një garë të mirë edhe pse u nis nga vendi i 13-të. Hamilton feston këtë titull mes lotësh, pasi në një garë spektakolare dhe të rrëmujshme si kjo e Austin, ndodhën shumë të papritura. Por fati dhe aftësia e Hamilton si dhe një Mercedes superiore i dhanë atij titullin kampion, me meritë.
Një garë ku nuk mungoi spektakli, me shumë aksidente dhe që detyruan makinën e sigurisë të hyjë dy herë në pistë në 54 xhirot. Shiu që ra për 36 orë me radhë gjatë kësaj fundjave, madje shpesh me ritëm të dendur, bëri që pista të ishte e lagësht në pjesën e parë të garës. Kjo solli edhe probleme të makinave në pistë, që shpesh nuk arrinin të bënin trajektoren e duhur dhe të përshtateshin me pistën, duke dalë jashtë piste. 8 pilotë e lanë para kohe garën, mes tyre edhe Raikkonen me Ferrari.
Kjo situatë e bëri garën më tërheqëse, ku kryesuesi i saj ndryshonte në varësi të situatës, konsumit të gomave dhe strategjisë. Kjo bëri që strategjitë e makinave të ndryshonin disa herë gjatë garës, ndërkohë që 8 makina u detyruan të tërhiqen dhe vetëm 12 e përfunduan atë, me parakalime të shpeshta në xhirot e fundit dhe në një duel të fortë për zonën e pikëve.
Gara ishte e bukur gjatë gjithë kohës, me Hamilton që merr komandën që në xhiron e parë, pas një gabimi të Rosberg, ndërkohë që Ricciardo e Kvyat renditen pas britanikut. Mirë e nis garën edhe Ferrari me Vettel, që rikuperon shpejt edhe pse u nis nga vendi i 13-të. Pista nis të thahet e shpejt makinat hyjnë në bokse, duke ndërruar gomat. Por aksidenti i Hulkenberg bën që makina e sigurisë të hyjë në pistë e shpejt vendet ndërrohen. Makina e sigurisë hyn edhe 12 xhiro nga fundi, kur aksidentohet Kvyat, duke e bërë garën të bukur në xhirot e fundit.
Rosberg ndodhet para Hamilton, por gabon 7 xhiro nga fundi, pasi humbet kontrollin e makinës. Britaniku përfiton dhe del i pari, ndërsa Vettel ngjitet i treti dhe në fund tenton të kalojë Rosberg, por pa sukses. Kështu, Hamilton arrin atë që donte, titullin kampio edhe me pak ndihmën e shokut të skuadrës, duke u shpallur kampion. Vendi i tretë i Vettel i jep atij titullin kampion edhe pse ka ende tri gara nga fundi, ndërkohë që të dielën e ardhshme garohet në Meksikë.
Në vendin e katërt u rendit Max Verstappen me Toro Rosso, duke lënë pas Sergio Perez (Force India) dhe Carlos Sainz (Toro Rosso). Në zonën e pikëve edhe Jenson Button (McLaren), Pastor Maldonado (Lotus), Felipe Nasr (Sauber) e Daniel Ricciardo (Red Bull). Ndërsa Fernando Alonso me McLaren e mbylli garën në vendin e 11-të e pas tij amerikani Alexander Rossi (Manor), i 12-ti.
Kjo është fitorja e 43-të në karrierë për Hamilton, piloti i tretë me më shumë fitore pas Michael Schumacher (91) dhe Alain Prost (51), ndërsa me këtë titull kampion ai barazohet me Jack Brabham, Jackie Stewart, Niki Lauda, Nelson Piquet dhe Ayrton Senna. Lot në sy pas përfundimit të garës për Hamilton, që tha: “Ky është momenti më i bukur i karrierës dhe jetës time. Falënderoj të gjithë, sidomos skuadrën që më dha këtë makinë kampione”.
KOHA JONË SONDAZH

