Ligji i ri/ Sponsorizuesit në sportet e përhapura përfitojnë 20% zbritje të tatim-fitimeve
Për stimuluar financimet në sportet më të përhapura (futboll, basketboll dhe volejboll), qeveria ka përgatitur një projektligj për sponsorizimet në sport i cili shihet si një rrugë për më shumë mbështetje financiare për sportin.
Duke parë angazhimin e madh në sponsorizimet në këto sporte, e shikon si një mundësi të madhe për financim, por edhe për të tërhequr më shumë fëmijë në sportet ekipore.
“Efekti i pritshëm i këtij projektligji është përmirësimi i situatës në fushën e sportit nëpërmjet lehtësirave të parashikuara në këtë projektligj”, thuhet në relacionin bashkëngjitur draftit.
Me anë të këtij projektligji synohet që sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit të kenë lehtësira:
- a) për sponsorizime në rastet e sporteve ekipore më të përhapura, u njihet zbritja deri në 20 për qind nga tatimi i fitimit sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”;
- b) për sponsorizime për sportet e tjera, deri në 10 për qind tatimi i fitimin.
Në draftin e saj, Qeveria thekson se nuk bën dallim midis sponsorizimit për investime ne infrastrukture dhe sponsorizimit për shpenzime operative (paga, udhëtime, etj.).
“Sipas skemës me sipër kontributi i sponsorizuesit ne totalin e investimit është 20% dhe 80% është kontribut nga buxheti i shtetit (tatim fitimi i munguar ne buxhet). Vlera totale e investimit ne sport shkon sa 2,9% e fitimit të tatueshëm”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit, i cili po konsultohet edhe me grupet e interesit.
/ Koha Jonë
RELACIONI I PLOTE
PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7892, DATË 21.12.1994 “PËR SPONSORIZIMET”, TË NDRYSHUAR””
- QËLLIMI I PROJEKTLIGJIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN
Ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e lehtësirave të procedurave të sponsorizimit në fushën e sportit, duke qenë se sporti jep një kontribut të rëndësishëm në kohezionin ekonomik dhe shoqëror.
Sporti adreson nevojat dhe gjendjen specifike të grupeve të nënpërfaqësuara duke marrë parasysh rolin e veçantë që mund të luajë për të rinjtë, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe njerëzit me prejardhje më pak të privilegjuara. Sporti gjithashtu mund të lehtësojë integrimin në shoqëri, si dhe të mbështesë dialogun ndërkulturor.
Sporti sipas legjislacionit shqiptar konsiderohet si një e drejtë e aksesueshme për të gjithë.
Me anë të këtij projektligji synohet që sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit të kenë lehtësirat e mëposhtme:
- a) për sponsorizime në rastet e sporteve ekipore më të përhapura, u njihet zbritja deri ne 20 për qind nga tatimi i fitimit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar;
- b) për sponsorizime të ndryshme nga ato të pikës (i) më sipër për sportet e tjera, deri ne 10 për qind tatimi i fitimin, sipas ligjit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”.
VLERËSIMI I PROJEKTLIGJIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTEVE TË TJERA POLITIKE
Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave.
- ARGUMENTIMI I PROJEKTLIGJIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Ky projektligj ka për objekt lehtësimin e procedurave të sponsorizimit në fushën e sportit, duke qenë se sporti jep një kontribut të rëndësishëm në kohezionin ekonomik dhe shoqëror.
Nëpërmjet këtij projektligji parashikohet që çdo sponsorizues, i cili realizon një sponsorizim në një nga sportet ekipore më të përhapura, mund të përfitojë lehtësi tatimore të parashikuara në këtë ligjin nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për sponsorizimet”, të ndryshuar”, deri në masën e përcaktuar në certifikatën e sponsorizimit.
Gjithashtu, çdo shoqatë sportive, klub sportiv ose federatë sportive që ushtron aktivitetin e saj në një nga sportet ekipore më të përhapura, (këtu e në vijim aplikuesi), mund të jetë subjekt i një sponsorizimi sipas kuptimit të dhënë në këtë ligj. Aplikuesi ka të drejtë të aplikojë për tu pajisur me certifikatën e sponsorizimit duke ndjekur rregullat dhe procedurat, si dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë ligj.
Konkretisht m anë të këtij projektligji synohet që sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit të kenë lehtësirat e mëposhtme:
- a) për sponsorizime në rastet e sporteve ekipore më të përhapura, u njihet zbritja deri ne 20 për qind nga tatimi i fitimit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar;
- b) për sponsorizime të ndryshme nga ato të pikës (i) më sipër për sportet e tjera, deri ne 10 për qind tatimi i fitimin, sipas ligjit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”.
Si kusht për njohjen e shumës të përcaktuar në paragrafin (d), (i) me sipër si sponsorizim, sponsorizuesi, është i detyruar që t’i paguajë gjithashtu të sponsorizuarit një shumë prej 30% te shumes se përcaktuar në paragrafët si me sipër. Kjo shume do t’i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.
- Si kusht për njohjen e shumes të përcaktuar ne paragrafin (d) (ii) më sipër si sponsorizim, sponsorizuesi, është i detyruar që t’i paguaje gjithashtu te sponsorizuarit një shume prej 20% te shumes se përcaktuar në paragrafët si me sipër. Kjo shumw do t’i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.
Efekti i pritshëm i këtij projektligji është përmirësimi i situatës në fushën e sportit nëpërmjet lehtësirave të parashikuara në këtë projektligj.
VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR
Ky projektligj është hartuar në zbatim të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUTAIRE (PËR PROJEKTAKTET NORMATIVE)
Ky projektligj nuk ka përputhshmëri e nuk përafron acquis communautaire të Bashkimit Evropian.
- PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTLIGJIT
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për sponsorizimet”, të ndryshuar” përbëhet nga 4 nene.
Në neni 1 parashikohet sa më poshtë:
- Në shkronjën “c”, të nenit 5, togfjalëshi “e sportive” hiqet.
- Në fund të shkronjës “c” të nenit 5 shtohet shkronja “d” me këtë përmbajtje:
“d) Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit kanë lehtësirat e mëposhtme;
- c) për sponsorizime në rastet e sporteve ekipore më të përhapura, u njihet zbritja deri ne 20 për qind nga tatimi i fitimit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar;
- d) për sponsorizime të ndryshme nga ato të pikës (i) më sipër per sportet e tjera, deri ne 10 për qind tatimi i fitimin, sipas ligjit sipas ligjit 8438 date 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”;
- Si kusht për njohjen e shumes te përcaktuar ne paragrafin (d), (i) me sipër si sponsorizim, Sponsorizuesi, është i detyruar qe ti paguaje gjithashtu te sponsorizuarit një shume prej 30% te shumes se përcaktuar ne paragrafët si me sipër. Kjo shume do ti njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.
- Si kusht për njohjen e shumes te përcaktuar ne paragrafin (d) (ii) me sipër si sponsorizim, Sponsorizuesi, është i detyruar qe t’i paguaje gjithashtu te sponsorizuarit një shume prej 20% te shumes se përcaktuar ne paragrafët si me sipër. Kjo shume do ti njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.
- Pavarësisht përcaktimeve të shkronjës (d) të pikës 2 më sipër, i sponsorizuari, nga shuma e marrë sponsorizim nga një apo më shumë sponsorizues, nuk mund të përdorë më shumë se 14 milion leke në vit për paga dhe shpërblime për sportistët.
Në neni 2 parashikohet sa më poshtë:
Në nenin 6, në paragrafin e parë, pas pikës “- të dokumenteve përkatëse që vërtetojnë realizimin e sponsorizimit”, shtohet pika me përmbajtje si më poshtë vijon:
“-çertifikatës së sponsorizimit, në rastet e sporteve ekipore më të përhapura. Për efekt të këtij ligji, sportet ekipore më të përhapura nënkupton “futbollin, basketbollin, volejbollin”
Në neni 3 parashikohet sa më poshtë:
Pas nenit 6 shtohen nenet 6/1, 6/2, 6/3, 6/4, 6/5 dhe 6/6 me këtë përmbajtje:
“Neni 6/1
Sponsorizimi për sportet ekipore më të përhapura
- Çdo sponsorizues, i cili realizon një sponsorizim në një nga sportet ekipore më të përhapura, mund të përfitojë lehtësi tatimore të parashikuara në këtë ligj, deri në masën e përcaktuar në certifikatën e sponsorizimit.
- Çdo shoqatë sportive, klub sportiv ose federatë sportive që ushtron aktivitetin e saj në një nga sportet ekipore më të përhapura, (këtu e në vijim aplikuesi), mund të jetë subjekt i një sponsorizimi sipas kuptimit të dhënë në këtë ligj. Aplikuesi ka të drejtë të aplikojë për tu pajisur me certifikatën e sponsorizimit duke ndjekur rregullat dhe procedurat, si dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë ligj.
Neni 6/2
Kriteret dhe detyrimet
- Aplikuesi ka të drejtë të përfitojë nga sponsorizimi sipas këtij ligji, nëse përmbush këto kritere:
- a) merr pjesë ose ka të drejtë të konkurrojë në nivel amator ose profesionist sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin”;
- b) ushtron veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi për sportet, prej të paktën 1 viti;
- c) nuk ka detyrime tatimore të pashlyera;
ç) nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e tatim-taksave;
- d) ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore të vitit të fundit financiar;
- dh) nuk është objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme;
- e) nuk është pezulluar me vendim gjykate.
- Për të përfituar lehtësitë tatimore sipas parashikimeve të këtij ligji, sponsorizuesi duhet të përmbushë këto kritere:
- a) nuk ka detyrime tatimore të pashlyera;
- b) ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore të vitit të fundit financiar;
- c) nuk është objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme;
- Përveç kritereve të pikës 2 më sipër, sponsorizuesi duhet:
- a) të paraqesë një deklaratë në të cilën angazhohet të japë sponsorizim për shoqatën sportive, klubin sportiv ose federatën sportive që kërkon mbështetje financiare;
- b) pas lëshimit të certifikatës së sponsorizimit, të tranferojë shumën e treguar në certifikatë;
- c) pas transferimit të shumës së sponsorizimit, njofton organet tatimore përgjegjëse në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
ç) transferon të paktën 75% të shumës së deklaruar për sponsorizim, gjatë vitit kur sponsorizimi është miratuar.
- Sponsorizimet në favor të sporteve ekipore më të përhapura, duhet të destinohen për:
- a) evidentimin e talenteve dhe zhvillimin e sportistëve të rinj;
b) mbulimin e shpenzimeve të stafit sportiv; - c) përmirësimin dhe rinovimin e pasurive të luajtshme që i shërbejnë për aktivitetin sportiv;
ç) zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive;
d) shpenzimet që kanë të bëjnë me trajnimin; ose
- dh) mbulimin e shpenzimeve që rrjedhin nga organizimi i garave sportive.
Neni 6/3
Aplikimi
- Për përmbushjen e kritereve në lidhje me aplikuesin, dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm:
- a) Dokumentacionin që vërteton se aplikuesi merr pjesë ose ka të drejtë të konkurrojë në nivel amator ose profesionist, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin”;
- b) Dokumentacionin që vërteton se aplikuesi ushtron veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi për sportet, prej të paktën 1 viti;
- c) Vërtetimin se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe tatimeve;
ç) Vërtetimin se aplikuesi ka përmbushur detyrimet e sigurimeve shoqërore për vitin e fundit financiar;
- d) Vërtetimin se aplikuesi nuk është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale që lidhen me tatim-taksat;
- dh) Vërtetimin se aplikuesi nuk është pezulluar me vendim gjykate.
- Për përmbushjen e kritereve në lidhje me sponsorizuesin, dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm:
- a) Vërtetimin se sponsorizuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe tatimeve;
- b) Vërtetimin se sponsorizuesi ka përmbushur detyrimet e sigurimeve shoqërore për vitin e fundit financiar;
- c) Vërtetimin se sponsorizuesi nuk është objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme.
- Përveç dokumenteve të mësipërme, aplikimi duhet të shoqërohet edhe me:
- a) Një program mbi zhvillimin e sportit në të cilin të parashikohet të paktën, shpërndarja e fondeve të sponsorizimit gjatë vitit, nevojat për sponsorizim të aplikuesit, përfitimet që parashikohen të vijnë nga ky sponsorizim në favor të sportit ekipor më të përhapur dhe/ose interesit të përgjithshëm.
- b) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës subjekti merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave të dokumenteve të paraqitura në aplikim;
- c) Autorizimin me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni apo çdo person i caktuar prej tyre, autorizohet për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ç) Vetëdeklarim se aplikuesi nuk është në një situatë apo rrethanë të konfliktit të interesit.
- Dokumentacioni dhe/ose vërtetimet e kërkuara më sipër, paraqitet në format origjinal ose kopje të noterizuara provuese të dokumentacionit të kërkuar. Nëse ndonjë nga dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një vetëdeklarim, me shkrim, nga ana e subjektit të huaj të interesuar.
Neni 6/4
Komisioni përgjegjës për shqyrtimin e aplikimeve
- Brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton me vendim ngritjen e komisionit të përhershëm për shqyrtimin e aplikimit, (këtu e në vijim komisioni), sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara më poshtë.
- Komisioni është përgjegjës për pritjen e aplikimit, shqyrtimin e tij, komunikimet dhe njoftimet me aplikuesit, çdo veprim tjetër të nevojshëm deri në pajisjen me certifikatë sponsorizimi, si dhe monitorimin e sponsorizimit.
- Përbërja e komisionit
- a) Komisioni përbëhet nga jo më pak se 5 anëtarë, nga të cilët, të paktën një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për financat, një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për sportin, si dhe dy anëtarë të propozuar nga shoqatat dhe/ose grupet e interesit. Kryetari i komisionit caktohet përfaqësuesi i propozuar nga ministria përgjegjëse për sportin. Në çdo rast, numri i anëtarëve të komisionit duhet të jetë një numër tek.
- b) Vendimi i Këshillit të Ministrave i cili krijon komisionin, përcakton detyrat e komisionit, si dhe mundësinë për të emëruar një sekretariat që mund ta asistojë atë. Mbledhjen e parë komisioni e zhvillon jo më vonë se 10 ditë pas krijimit të tij. Mbledhjet e radhës zhvillohen sa herë ka një aplikim, sipas rregullit që komisioni duhet të mblidhet për shqyrtimin e tij brenda 10 ditëve nga dita e paraqitës së aplikimit.
- Komisioni merr vendime të vlefshme nëse në mbledhjet e tij marrij pjesë të paktën shumica e anëtarëve dhe për një vendim votojnë “pro” shumica e anëtarëve prezentë. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Në rast dorëheqje apo largimi të ndonjë anëtari, institucioni i cili e ka propozuar merr masa për zëvendësimin e tij përpara mbledhjes së radhës së komisionit.
- Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
- Komisioni ka të drejtë të verifikojë çdo të dhënë ose dokument të paraqitur nga çdo aplikues.
Neni 6/5
Dorëzimi dhe shqyrtimi i aplikimit
- Aplikimet duhet të dorëzohen nga aplikuesit nëpërmjet postës ose dorazi pranë komisionit.
- Nëse aplikimi plotëson të gjithë kërkesat e mësipërme të këtij ligji, komisioni e pranon aplikimin, dhe ja përcjell atë për miratim ministrit përgjegjës për sportin.
Nëse komisioni konstaton se një aplikimi, ka mangësi informacioni apo dokumentacioni, atëherë komisioni informon aplikuesin dhe i jep atij një afat të arsyeshëm për plotësimin e mangësive. Nëse aplikuesi nuk plotëson mangësitë e aplikimit brenda afatit të përcaktuar, komisioni e refuzon aplikimin dhe njofton aplikuesin.
- Brenda 5 ditëve nga përfundimi i shqyrtimit, komisioni i përcjell ministrit përgjegjës për sportin, raportin përmbledhës. Raporti përmbledhës duhet të përmbajë përshkrimin e procedurës së ndjekur, numrin total të aplikimeve të paraqitura, aplikimet e skualifikuar apo të refuzuar, si dhe propozimin me aplikimet e pranuara.
Neni 6/6
Dhënia e certifikatës së sponsorizimit
- Ministri përgjegjës për sportin shqyrton rekomandimet e komisionit dhe nëse i aprovon ato, brenda 5 ditëve vendos të miratojë certifikatën e sponsorizimit, për aplikuesit aplikimi i të cilëve është pranuar.
- Aplikuesit i jepet çertifikata e sponsorizimit vetëm pas dhënies së miratimit, nga ministri përgjegjës për sportin.
- Aplikimi i propozuar refuzohet, nëse:
- Propozimi për dhënien e certifikatës së sponsorizimit nuk miratohet nga ministri përgjegjës për sportet.
- Nga verifikimet, vërtetohet se aplikuesi nuk plotëson të gjithë kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim; ose
- Nga verifikimet, vertetohet se aplikuesi ka paraqitur informacione, të dhëna apo dokumentacione të pavërteta në lidhje me të informacionet, të dhënat apo dokumentacionin e kërkuar.
- Në rast se aplikuesi i propozuar refuzohet, i interesuari njoftohet për shkaqet nëpërmjet komisionit.
Në nenin 4 parashikohet hyrja në fuqi e tij.
INSTITUCIONET DHE ORGANET E TJERA QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E LIGJIT
Për zbatimin e këtij projektligji ngarkohet ministria përgjegjëse për financat dhe ekonominë dhe ministria përgjegjëse për arsimin.
- MINISTRITË, INSTITUCIONET DHE SUBJEKTET E TJERA QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTLIGJIT
Projektligji është hartuar nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe në Ministrinë për Arsimin, Sportin dhe Rininë.
- RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE
Projektligji parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit.
Skema e propozuar nga MASR është si vijon:
% | në Lekë | |
Fitimi i tatueshëm (shembull) | 1,000,000 | |
Tatim fitimi | 15% | 150,000 |
Zbritje për sponsorizim ne sport (a) | 15% | 22,500 |
+ shpenzim i zbritshëm | 1,013 | |
Kontributi nga buxheti | (b) | 23,513 |
Kontribut nga sponsorizuesi | a x 30% | 6,750 |
– shpenzim i zbritshëm (tatim fitimi) | (1,013) | |
Kontribut neto nga sponsorizuesi | (c) | 5,738 |
Totali i investimit në sport | b + c | 29,250 |
MASR nuk bën dallim midis sponsorizimit për investime ne infrastrukture dhe sponsorizimit për shpenzime operative (paga, udhëtime, etj.).
Sipas skemës me sipër kontributi i sponsorizuesit ne totalin e investimit është 20% dhe 80% është kontribut nga buxheti i shtetit (tatim fitimi i munguar ne buxhet).
Vlera totale e investimit ne sport shkon sa 2,9% e fitimit të tatueshëm.