Lionel Messi do të luajë ndeshje miqësore kundër … Barcelonës
Lionel Messi pritet të zbarkojë në Ekuador më 7 shkurt, ku Inter Miami do të përballet në një miqësore luksi me Barcelonën e Guayaquil, si pjesë e turit të skuadrës amerikane në disa qytete të Amerikës së Jugut. Lajmi u bë publik nga vetë klubi ekuadorian përmes një postimi në Instagram.
“Ndeshja e historisë: Inter Miami kundër Barcelonës, më 7 shkurt në stadiumin Banco Pichincha,” shkruante njoftimi i Barcelonës së Guayaquil, duke ndezur menjëherë entuziazmin e tifozëve.
Takimi konsiderohet një ndër kulmet e turit të Inter Miami-t, pasi çdo paraqitje e Messit në kontinentin amerikan gjeneron interes të jashtëzakonshëm. Për klubin ekuadorian, sfida me kampionin e botës është një mundësi e artë për të rritur profilin ndërkombëtar dhe për të tërhequr një numër rekord tifozësh.
Atmosfera festive pritet të pushtojë si Quito ashtu edhe Guayaquil, me mijëra sportdashës që shpresojnë të shohin Messin në aksion në një nga ndeshjet më të bujshme të fillim-vitit në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

