Lionel Messi në tratativa për të blerë një klub spanjoll
Lionel Messi po zgjeron gjithnjë e më shumë aktivitetin e tij në botën e futbollit edhe jashtë fushave. Në moshën 39-vjeçare, ylli argjentinas raportohet se është pranë blerjes së një tjetër klubi spanjoll, vetëm pak muaj pasi mori drejtimin e Cornellàs.
Sipas mediave spanjolle, Messi ka arritur një marrëveshje parimore për të blerë Eldensen, klub që aktualisht garon në Segunda División. Operacioni parashikon marrjen e aksioneve të zotëruara nga grupi kolumbian TH Soluciones Group S.A.S.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është finalizuar zyrtarisht. Për përmbylljen e saj nevojiten disa procedura administrative, si dhe miratimi i Këshillit të Lartë të Sportit në Spanjë.
Eldense, me bazë në qytetin Elda të provincës së Alicante-s, do të përfaqësonte një investim më ambicioz për Messin krahasuar me eksperiencën e tij të mëparshme te Cornellà. Klubi spanjoll, megjithatë, nuk e ka nisur mirë sezonin. Pas katër javësh, Eldense ende nuk ka regjistruar asnjë fitore, duke marrë dy barazime dhe pësuar dy humbje.
Pikërisht në këtë situatë, ardhja e mundshme e Messit mund të sjellë një ndryshim të madh në drejtimin dhe projektin e klubit. Pas një karriere të jashtëzakonshme si futbollist, argjentinasi duket se po ndërton një rol të ri si investitor dhe drejtues, me synimin për të lënë gjurmë edhe jashtë fushës.

