Lista me lojtarët shqiptarë që kërkon Milani për sezonin e ri

Me Igli Taren tashmë në postin e drejtorit sportiv te Milani, merkatoja e kuqezinjve po merr ngjyrime të reja dhe shumë më të njohura për tifozët shqiptarë. Ish-drejtuesi i Lazios ka nisur punën për të ndërtuar një skuadër konkurruese, dhe në bashkëpunim me trajnerin Massimiliano Allegri, fokusi fillestar është vendosur te përforcimi i mbrojtjes.
Në rast të një largimi të Theo Hernandez, kuqezinjtë kanë vënë në shënjestër Oleksandr Zinchenko, por në prapavijë po përgatitet edhe një goditje me shumë përvojë për qendrën e mbrojtjes: Berat Gjimshiti. Kapiteni i kombëtares shqiptare, me eksperiencën e gjatë në Serie A dhe me një kontratë që skadon pas një viti me Atalantën, shihet si një opsion i besueshëm dhe ekonomik për të blinduar repartin defensiv.
Por lista “kuqezi” nuk ndalet këtu. Armando Broja, pas huazimit të dështuar te Everton dhe me Chelsea që nuk ka më plane për të, është në kërkim të një shtëpie të re. Sulmuesi 23-vjeçar shihet nga Milani si alternativa ideale për të rotuar me Santiago Jimenez, që mbetet objektivi kryesor për majën e ofensivës.
Në mesfushë, një tjetër shqiptar mund të bëhet pjesë e projektit të ri: Granit Xhaka. Kampioni i Bundesligës me Bayer Leverkusen është një profil që Tare dhe Allegri e vlerësojnë maksimalisht. Me përvojën, lidershipin dhe karakterin e tij në fushë, Xhaka shihet si përforcimi ideal për të ngritur nivelin e mesfushës kuqezi.