Liverpooli humbet Alisson Becker për 6 javë, gati Mamardashvili
Probleme të mëdha për Liverpoolin në një moment vendimtar të sezonit. Portieri titullar Alisson Becker do të qëndrojë jashtë fushave për rreth 6 javë, për shkak të një dëmtimi muskulor të pësuar në ndeshjen e humbur 1-0 ndaj Galatasaray në Champions League.
Sipas The Athletic, braziliani do të rikthehet vetëm pas pushimit ndërkombëtar të nëntorit, duke humbur sfida të mëdha si ato kundër Manchester City, Real Madrid dhe Manchester United, si në Premier League ashtu edhe në Champions League. Gjithashtu, ai nuk do të jetë i gatshëm as për kombëtaren braziliane në dy ndeshjet e radhës.
Në mungesë të Alissonit, trajneri Arne Slot do t’i besojë gardianit gjeorgjian Giorgi Mamardashvili, i ardhur nga Valencia për 30 milionë euro. Deri tani ai ishte në fushë vetëm në Carabao Cup, por tani do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij në nivelet më të larta.
Për Alissonin kjo është një tjetër ndalesë fizike pas asaj të vitit të kaluar, kur po në tetor mungoi deri në dhjetor. Një rikthim i dëmtimeve që shton dyshime mbi vazhdimësinë e tij, ndonëse ai mbetet ndër portierët më të mirë në botë.
KOHA JONË SONDAZH

