Liverpooli tërbohet me Jones, gati ta largojë tek Interi për të mos ta rrezikuar me zero
Durimi i Liverpoolit me Curtis Jones duket se ka marrë fund. Klubi anglez është gjithnjë e më i bindur se rrugët me mesfushorin duhet të ndahen dhe tashmë është gati të bëjë lëshime në aspektin financiar për të mbyllur sa më shpejt një transferim.
Sipas Mirror, Liverpooli ka vendosur të ulë kërkesat ekonomike për Jones, duke synuar të arrijë një marrëveshje me Interin. Frika e klubit anglez është e qartë: kontrata e futbollistit skadon më 30 qershor 2027, ndaj ekziston rreziku që ta humbasin me parametra zero nëse nuk e shesin tani ose, në skenarin e fundit, në merkaton e janarit.
Liverpooli deri më tani ka kërkuar rreth 40 milionë euro, por tashmë është gati të pranojë një shumë më të ulët. Nga ana tjetër, Interi synon një operacion në stilin e marrëveshjes për Spence, me një ofertë prej 30 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse.
Situata mes Jones dhe klubit duket gjithashtu e komplikuar. Edhe pse mesfushori është rikthyer në stërvitje pas problemit në ije, ai nuk u aktivizua as në ndeshjen ndaj Comos. Kjo shihet si një tjetër sinjal se marrëdhënia mes palëve është dëmtuar dhe se mundësitë për një vazhdim të bashkëpunimit janë gjithnjë e më të vogla.
Trajneri Iraola ka pasur shpresa për ta mbajtur lojtarin në skuadër, por qëndrimi i prerë i Jones duket se ka ndryshuar situatën.
Tashmë, Liverpooli duhet të marrë një vendim: ose e shet Jones këtë verë dhe përfiton financiarisht, ose rrezikon ta humbasë falas vitin e ardhshëm. Interi, ndërkohë, po qëndron në pritje dhe synon të shfrytëzojë situatën për të transferuar mesfushorin në Serie A me një kosto më të ulët.
KOHA JONË SONDAZH

