“Lojërat Olimpike Rio 2016″, pritje për ekipin Kombëtar, medalje për Luiza Gegën
Në Kryeministri u zhvillua sot pritja e Ekipit Kombëtar që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016, ku atletja nënkampione e Europës, Luiza Gega do të mbajë edhe flamurin kuq e zi.
Ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla vlerësoi lart performancën dhe rezultatet e atletes Gega, e cila, sipas Nikollës meriton më shumë. “Sot është dita t’i themi të gjithë Luizës se jemi krenarë për ty! Meriton më shumë, jemi të vendosur për më shumë investime. MAS i ka akorduar atë që ligji parasheh për arritjet në sport, është shumë pak nga ajo që Luiza e të tjerë meritojnë. Luiza është flamurmbajtësja e flamurit tonë në lojërat në Rio”,- tha Nikolla. “Meritoni më shumë, jeni udhërrëfyese jete, model për tu ndjekur nga të gjithë ne, veçanërisht nga brezi i ri”.
Ndërsa zv/kryeministri Niko Peleshi i kërkoi asaj ndjesë për harresën 25 vjeçare që i është bërë sportit.
Zv/kryeministri Peleshi i dorëzoi atletes edhe medaljen e mirënjohjes së kryeministrit, ndërsa tha se besimi tek Luiza edhe për rezultate të tjera mbreslënëse edhe në Rio 2016-të është i madh. “Siç kemi të gjithë shumë besim, një tjetër rekord do vazhdojë të thyhet edhe në Lojërat Olimpike. Luiza është e vetmja që në 5 vitet e fundit ka fituar 4 medalje ari, 3 argjendi dhe është shpallur nënkampione e Europianit. Luiza Gega është shembulli i forcës dhe sakrificës, shembull i gjallë i neglizhencës dhe harresës 25-vjeçare të sportit nga autoritetet. Ndjese sportistëve për neglizhencën e 25 viteve. Ju në këmbim keni qëndruar me kokë ulur, duke punuar me modesti, na dhatë imazhin më të mirë”.
Duke e cilësuar si shembullin që duhet ndjekur nga të gjithë, Peleshi shtoi se, “Gega është përfshirë në strukturat e ushtrisë, modeli i trajtimit të sportistëve elitarë”, sipas tij që po shtrihet edhe më tej me emra të tjerë të sportit.
Sipas Peleshit, Luiza “Injoroi atë që modeli i vjetër i shoqërisë sonë induktonte, apo ju fliste të rinjve tanë. Ndoqi model të ri, punoi çdo ditë, 8 orë në ditë, për tu renditur në radhët e para të profesionistëve të suksesshëm në Europë”.
Pasi mori medaljen e mirënjohjes Luiza premtoi të tjera arritje dhe ndau me publikun historinë e saj të suksesit dhe momentet e dobësisë që e kishin shtyrë deri aty sa t’i jepte fund. “Rruga ka qenë e vështirë në jetën time, kam pasur jetë të vështirë, ka pasur ditë kur kam dashur ta lë sportin për të mbajtur vetën se duhet të punosh. Sot falenderoj pa masë trajnerin tim që nuk më la të lë sportin në ditë të vështira.
Shpresoj të jem këmba e mbarë edhe pëe sportistë të tjerë. Besoj që me mbështetje mund të arrijmë ta ngremë lart këtë flamur. Unë që e kam përjetuar nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Me pak ndihmë ne mund të arrijmë në sport”,- tha Gega.
“Sot ndjehem vërtet shumë krenare për veten, familjen, të gjithë që më kanë mbështetur. E dija që dhënia e medaljes do ishte çështje kohe. Olimpiada është e vështirë, po e di që me pak kam arritur këtu dhe me pak më shumë do arrij më lart”.
KOHA JONË SONDAZH

