Lorik Cana në dyshim, Gjeorgjia test për të rinjtë
Pas miqësores me Kosovën, në Prishtinë, Gjeorgjia vjen si një test i vërtetë për Kombëtaren Shqiptare të futbollit.
Edhe pse sinjalet pozitive nuk munguan në përballjen e Prishtinës, aty ishte e pamundur të shihej një Shqipëri agresive dhe e gatshme për të dhuruar betejë në çdo episod, vlera që Xhani De Biasi pret t’i evidentojë në takimin me Gjeorgjinë, ku kërkon të tjera konfirmime.
Për sa i përket formacionit, dyshimi më i madh mban emrin e kapitenit Lorik Cana, i cili mund të mos jetë në fushë, asgjë për tu shqetësuar pasi një vendim i tillë mund të merret si një masë parandaluese pasi Cana ka pësuar një dëmtim të lehtë në përballjen e 13 Nëntorit.
Në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes u vu re dhe mungesa e Bekim Balajt që ka lënë grumbullimin. Mungesa e shkodranit që i shtohet atyre të Memushajt dhe Hysajt është një tjetër sinjal se De Biasi e shikon përballjen me Gjoergjinë si një rast të mirë për të marrë të dhënat e duhura nga futbollistët e rinj dhe ata që janë aktivizuar më pak në përgatitjet e rëndësishme për Euro 2016.
Sfida ndaj përfaqësueses së ish republikës sovjetike në fakt do të jetë e fundit për kuqezinjtë në këtë vit kalendarit dhe një 2015 historike që bëri realitet ëndrrën e gjithë shqiptarëve meriton një mbyllje të bukur.
KOHA JONË SONDAZH

