Lorik Cana: Shqipëria ka një avantazh ndaj Polonisë, ja si del rezultati!
Ish-kapiteni dhe legjenda e Kombëtares sonë, Lorik Cana së fundmi ka dhënë një intervistë për mediat polake në lidhje më duelin e madh të mbrëmjes së sotme. Loriku është shprehur se kuqezinjtë janë të avantazhuar dhe se presioni do të jetë më shumë te kundërshtarët. Sipas tij fakti që në stadium do të ketë 22 mijë tifozë do të jetë një ndihmë e madhe për futbollistët.
“Ndeshja do të jetë fantastike. Interesi për Shqipërinë është i madh. Të gjitha biletat janë shitur. Stadiumi nuk është i madh, por 22 mijë tifozët që do të ulen në shkallët e stadiumit do të krijojnë një atmosferë të mrekullueshme. Në anën tjetër aspekti negativ … është terreni që asnjëherë nuk ka qenë në nivelin më të lart, por shpresoj që këtë herë të jetë mirë.
Shanset? Kjo ndeshje është shumë emocionuese për shqiptarët, sepse ne rrallë kemi fatin në duart tonë në fazën eliminatore. Nëse fitojmë me Poloninë, do të jemi shumë pranë fazës play-off. Në një situatë kaq të favorshme rrallë kemi qenë. Unë mendoj se ne kemi një avantazh ndaj jush. Quhet presion. Gjithsesi mund të them që Polonia është favorite për të marrë vendin e dytë në grup.
Rezultati i ndeshjes? Si tifozë do të them 2-1 për Shqipërinë. Ne kurrë nuk kemi luajtur në finalet e Kupës së Botës më parë dhe një fitore ndaj Polonisë do na zgjaste ëndrrën tonë për të shpresuar më tej. Motivimi dhe vendosmëria janë të mëdha”, deklaroi Cana. /R.Lika-Koha Jone/