Lorik Cana, si dëshmitar në KAS: Duam 3 pikët, nuk e ulim kokën

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv fillon seancën e parë dëgjimore ditën e sotme me palën serbe, e cila kërkon 3 pikët e ndeshjes apo ndoshta riluajtjen e saj, ndërkohë që nesër pala shqiptare do të fillojë ofensivën vendimtare për të fituar atë që na u mohua nga dy shkallët e drejtësisë sportive të UEFA-s, 3-pikëshit në tavolinë. Vendimi i fundit i organit më të lartë të futbollit europian për t’i dhënë 3 pikët Rusisë për goditjen e portierit në ndeshjen me Malin e Zi, ka zhgënjyer ndjeshëm shqiptarët, për përdorimin e dy standardeve.  Lorik Cana, kapiteni i përfaqësueses sonë, tregon se nga sot do të jetë në Lozanë, në cilësinë e dëshmitarit, për të marrë të drejtën e pakundërshtueshme për gjithçka na u mohua. – “Zhgënjimi më i madh është që vetë UEFA, e cila është organi kryesor i futbollit europian dhe organizuesi i këtyre garave dhe i këtij kompeticioni, nuk ka mbajtur vlerat që ajo i promovon çdo ditë. Është e vërtetë që Federata ruse ka më shumë fuqi brenda organeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht pesha e Shqipërisë nuk është në këto nivele, megjithatë kombëtarja shqiptare po rritet çdo ditë e më shumë dhe kjo bën që Shqipëria të dëgjohet më shumë. Dy ngjarjet që kanë ndodhur janë absolutisht të pakrahasueshme”, shprehet kapiteni i Kombëtares sonë të futbollit, Lorik Cana.  Pozita e Shqipërisë në grup aktualisht është e favorshme, aq sa ndonjëherë mendohet që është një pozitë më e mirë se sa riluajtja e ndeshjes, e cila mund të krijojë situata të cilat edhe mund të na komplikojnë ecurinë. Por gjithsesi, për Lorik Canën, ne nuk i trembemi as riluajtjes, por nuk kemi pse tërhiqemi nga objektivi kryesorë i 3-pikëshit. – “ Ne kemi të drejtë të kërkojmë 3-pikëshin që na takon, ndërsa në aspektin sportiv ne e kemi një pikë të fituar në fushën e lojës dhe kjo është realitet. Unë nuk besoj të merret një vendim tjetër, megjithatë Shqipëria është e aftë të përballet me çdo lloj kundërshtari. Shqipëria nuk është më e mirë se ekipet e tjera të grupit, por nuk është as më e dobët. Ne nuk kemi frikë asnjë përsëritje të ndeshjes, asnjë kundërshtari nuk i trembemi, por e drejta jonë janë 3 pikët në tavolinë dhe ne do ta mbrojmë këtë. Shqipëria nuk do ta ulë kokën”, përfundon Lorik Cana.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?