“Loro Boriçi” rrezikon të mbetet pezull, Bashkia e Shkodrës kërkon marrëveshje me FSHF
Përfundimi i punimeve në “Loro Boriçi” u premtua në fund të këtij viti. Por sërish punimet për stadiumin janë larg përfundimit. Kur nisin punimet, qe planifikuar që stadiumi të ishte gati për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Më pas u tha se do të ishte gati për ndeshjet miqësore të muajit nëntor.
Ditët e fundit në “Loro Boriçi” makineritë kanë punuar për dranazhimin e fushës, çka të jep shpresa që tapeti i ri i stadiumit mund të vendoset shumë shpejt.
Por përfundimi i projektit, mund të penalizohet nga mungesa e marrëveshjes mes bashkisë dhe FSHF, çka sjellë bllokim të fondeve nga UEFA.
Në mbledhjen e fundit, këshilli bashkiak i Shkodrës kundërshtoi kohëzgjatjen e kontratës, që sipas tyre nuk duhet të jetë për 20 vjet. Një pikë tjetër është ajo që ka të bëjë me mirëmbajtjen e stadiumit. Sipas kushteve që ka vendosur UEFA e FIFA, mund të jetë e papërballueshme nga ana e Bashkisë së Shkodrës dhe për këtë vendorët kërkojnë që të vendoset shuma që do t’i jepet bashkisë në buxhet. Këshilltarët e kanë quajtur diskriminuese kontratën edhe për sa i përket përfitimit të të ardhurave, ku përfituese do të jetë vetëm federata.
Edhe kjo pikë kërkohet që të shikohet në kontratë. Për këtë çështje në bashki është ngritur një komision “Ad hok” ku në përbërje janë juriste, specialistë futbolli dhe ekonomistë, të cilët do të bëjnë edhe propozimet e reja për federatën që më pas të negociohen nga kryebashkiakja Ademi.
Megjithatë, nëse nuk hidhen hapa të shpejtë dhe këshilli bashkiak të mblidhet jashtë radhe, atëherë javën e ardhshme punimet në “Loro Boriçi” mund të ndërpriten plotësisht.
Sakaq, problem mbetet ekipi i Vllaznisë që vazhdon të luajë ndeshjet jashtë Shkodrës për shkak të rikonsruksionit të stadiumit.
Madje bashkia nuk po gjen para edhe për pagesat e ekipit.
KOHA JONË SONDAZH

