Luciano Moggi, në Tiranë: Futbolli në Shqipëri, në rritje

Një ditë më parë, Luciano Moggi  ishte në Shqipëri për promovimin e librit të tij “Topi është Imi”. Ish- drejtori sportiv i Juventusit, i cili ishte edhe në qendër të akuzave për skandalin “Calciopoli” prek disa nga temat më delikate të futbollit italian, si dhe e sheh në  zhvillim futbollin shqiptar gjatë viteve të fundit. “Futbolli shqiptar po evidentohet në nivele ndërkombëtare. Kombëtarja nën drejtimin e De Biasit ka bërë hapa të rëndësishëm. Promovimi i futbollit në Shqipëri është diçka pozitive sepse lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali si Hysaj te Empoli, Cana te Lazio kanë një ecuri pozitive,” – theksoi Moggi, i cili shton se njeh personalisht kapitenin kuqezi Lorik Cana.  – “Njoh personalisht Lorik Canën që luan te Lazio. Përveçse një profesionist ai është edhe një lojtar shumë i mirë,” – shton ai.  I pyetur nëse lojtarët shqiptarë luajnë në Itali për shkak të cilësive të tyre pozitive apo për shkak të rënies që ka pësuar futbolli italian gjatë viteve të fundit, Moggi përgjigjet:  “Pak është njëra dhe pak tjetra. Në praktikë futbolli italian nuk është më ai i viteve të shkuara, por lojtarët e huaj janë të rëndësishëm sepse një fenomen i tillë është edhe në vendet e tjera. Dua të veçoja Cikalleshin që po tregon vlerat e tij në një kampionat të rëndësishëm. Kjo do të thotë se në futboll ka njerëz që mund t’i japin shumë këtij sporti.” Më tej Moggi shton se formula që mund të shpëtojë futbollin italian për ta rikthyer në elitën e futbollit botëror është shumë e thjeshtë. – “Duhen zgjedhur lojtarë të huaj, që vlejnë dhe jo lojtarë të huaj që u zënë vendet lojtarëve italianë thjesht sa për numër. Aktualisht në Itali po ndodh një fenomen. Klubet po blejnë lojtarë me ngjyrë sepse komercializohen shumë mirë në Gjermani dhe Angli, por kjo nuk i ka sjellë asgjë pozitive futbollit italian dhe unë mendoj se këta lojtarë duhet të qëndrojnë në vendet e tyre. “ Moggi e di se në Shqipëri ka shumë tifozë  të Interit, Milanit, e Juventusit, si dhe kombëtares “axurre”. Ai e mbyll me një mesazh për futbollin shqiptar. –  “Pamë ndeshjen e Shqipërisë në Gjenovë. Pamë edhe ngrohtësinë që dhuruan 20 mijë tifozë shqiptarë, të cilët dhanë një mbështetje financiare për bamirësi. Pamë një kombëtare kompakte që i krijoi vështirësi Italisë, prandaj më duhet të them se nëse futbolli shqiptar ecën në këtë rrugë, në të ardhmen mund të bëhet shumë i rëndësishëm,” – përfundoi Moggi.

SHKARKO APP