Luhet sonte derbi Tirana-Partizani, formacionet e mundshme dhe statistikat më pikante
Tirana dhe Partizani do të luajnë sonte në mbrëmje në “Air Albania” derbin e 176-të mes tyre. Të kuqtë në këtë duel vjen si kryesues, ndërkohë që nga ana tjetër bardheblutë për momentin janë në limitet e zonës së ftohtë që të dërgon një kategori më poshtë. Pas 14 javëve të para të sezonit, Partizani me 27 pikë mban kreun e renditjes, ndërsa Tirana me 15 pikë ndodhet në vendin e shtatë.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, në një duel që në dukje është një reklamë për futbollin tonë. Edhe pse në fazën e parë përfundoi pa gola, kjo ndeshje shihet si e duhura, që Tirana të nis ringritjen me Maganin. Për Partizanin është si një ndeshje e radhës, pasi ndodhen të qetë për momentin në krye.
Formacionet – Gugash Magani i ka idetë e qarta dhe ka fiksuar 11 titullarët që do të jenë të gatshëm. Në portë Gentian Selmani, Dembele dhe Kola dy qendrat e mbrojtjes, ndërsa Aran Isuf dhe Përgjoni do të mbulojnë krahët. Në mesfushë rikthehet Ermal Meta i cili ka kaluar problemet fizike, dhe do ndajë repartin me Soler dhe Jonuzin. Gjumsi dhe Haxhiu nga krahët do të mbështesin sulmuesin e vetëm Zharmuni.
Në krahun tjetër, ky derbi do të jetë kyç për Partizanin që synon të blindojë vendin e parë dhe Veselinovic pritet të prezantohet me rreshtimin 4-3-3. Pano Qirko nuk lëviz në portë, në prapavijë, Sembene dhe Preka, me Bytycin dhe Buxhelajn të cilët do të luajnë nga krahët, Ismaili, Kote dhe Rrapaj në mesfushë, ndërsa më të avancuar Zeka, Keko dhe në majë të sulmit Christian Mba.
Historia – 175 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në periudhën 1947-2024 në të gjitha kompeticionet; Kupë dhe kampionat. Partizani ka fituar më shumë sesa Tirana në derbi, plot 73 ndeshje. Bardheblutë numërojnë 47 fitore, ndërkohë që 55 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim.