Luhet sot finalja e Europa League, Aston Villa dhe Freiburg në kërkim të historisë
Mbrëmjen e sotme, në orën 21:00, stadiumi Besiktas Park do të presë finalen e madhe të UEFA Europa League për sezonin 2025/2026, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Freiburg dhe Aston Villa.
Skuadra gjermane vjen në këtë sfidë pas një rruge mbresëlënëse në kompeticion, duke synuar të shkruajë historinë me trofeun më prestigjioz europian të klubit. Freiburg ka treguar formë të mirë në javët e fundit, duke realizuar 10 gola në katër ndeshjet e fundit dhe duke siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Leipzig në Bundesliga, sukses që i garantoi pjesëmarrjen në kupat europiane edhe sezonin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Aston Villa zbret në fushë me objektivin për t’i dhënë fund një pritjeje të gjatë europiane që prej vitit 1982, kur fitoi trofeun e dikurshëm të Kupës së Kampioneve. Klubi anglez mbështetet te eksperienca e trajnerit Unai Emery, një specialist i njohur i këtij kompeticioni, i cili e ka fituar Europa League katër herë gjatë karrierës së tij.
Freiburg dhe Aston Villa nuk janë përballur kurrë më parë në histori. Statistikat historike favorizojnë disi anglezët: Freiburg ka luajtur katër herë ndaj skuadrave angleze, të gjitha kundër Ëest Ham United, duke marrë vetëm një fitore dhe tri humbje. Ndërkohë, Aston Villa ka bilanc pozitiv kundër skuadrave gjermane, me katër fitore në gjashtë përballje.
Një nga emrat që mund të rezultojë vendimtar për Freiburg është Vincenzo Grifo. Sulmuesi italian ka qenë një nga figurat kyçe të skuadrës në rrugëtimin europian, me pesë gola dhe katër asistime në këtë edicion të Europa League. Forma e tij ka qenë mbresëlënëse, pasi në pesë ndeshjet e fundit ka kontribuar vazhdimisht me gola ose asistime.
KOHA JONË SONDAZH

