Luis Enrique: Ndeshja më e mirë që kam përjetuar si trajner!
PSG hedh një hap të rëndësishëm drejt finales së UEFA Champions League, pasi mposhti 5-4 Bayern Munich në ndeshjen e parë gjysmëfinale, të zhvilluar në “Parc des Princes”.
Pas një sfide spektakolare me ritëm të lartë dhe shumë emocione, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, nuk i kurseu elozhet për skuadrën dhe për cilësinë e përballjes. “Ka qenë ndeshja më e mirë që kam përjetuar si trajner. Nuk kam parë kurrë një intensitet të tillë dhe një dëshirë kaq të madhe për të fituar”, u shpreh tekniku spanjoll pas takimit.
Ai theksoi se spektakli i ofruar në fushë ishte një kënaqësi për të gjithë tifozët, pavarësisht preferencave të tyre. “Të dyja skuadrat dhe të gjithë lojtarët meritojnë komplimente. Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e tillë do të jetë edhe ajo e kthimit”, shtoi Enrique.
Megjithëse i kënaqur me rezultatin, trajneri i PSG-së pranoi se skuadra ka ende elementë për të përmirësuar, duke kërkuar përqendrim maksimal për sfidën e dytë. “Duhet të shijojmë këtë fitore, por jemi të vetëdijshëm se nuk ka përfunduar asgjë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm, por kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit”, deklaroi ai.
Në fund, Enrique vlerësoi edhe vazhdimësinë e ekipit të tij gjatë sezonit, duke nënvizuar se kjo ishte vetëm humbja e tretë për kundërshtarët këtë edicion. “Jemi shumë të lumtur dhe besoj se e merituam fitoren”, përfundoi trajneri i kampionëve francezë.
KOHA JONË SONDAZH

