
Luka Modric vazhdon të dëshmojë se mosha është thjesht një numër. Mesfushori kroat i Milanit ka vendosur një rekord të ri në Serie A, duke u bërë lojtari mbi 40 vjeç me më shumë asiste që nga sezoni 2004-2005, kur kampionati italian kaloi në formatin me 20 skuadra.
Sipas të dhënave të platformës statistikore Opta, Modrić ka regjistruar tashmë katër asiste në Serie A pas mbushjes së moshës 40-vjeçare, duke lënë pas ish-sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimović, i cili kishte realizuar tri asiste pas kësaj moshe.
Rekordi i ri erdhi në fitoren 2-0 të Milanit ndaj Udineses, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të kampionatit italian. Modrić dha kontributin e tij në suksesin e kuqezinjve me pasimin vendimtar për Christian Pulisic, i cili zhbllokoi rezultatin që në minutën e gjashtë të takimit.
Ishte një tjetër dëshmi e rëndësisë së mesfushorit kroat në lojën e Milanit, ku përvoja, vizioni dhe aftësia për të diktuar ritmin vazhdojnë ta bëjnë një element kyç të skuadrës.
Në moshën 40-vjeçare, kroati vijon të jetë vendimtar në një prej kampionateve më kërkuese të Evropës. Rekordi i ri në asistime e vendos atë përpara një emri të madh si Ibrahimovic dhe konfirmon se Modric vazhdon të lërë gjurmë edhe në këtë fazë të karrierës së tij.
