“Lumumba”, njeriu-statujë rikthehet në Botëror dhe pushton tribunat
Jo vetëm futbollistët po tërheqin vëmendjen në Kupën e Botës 2026. Në tribunat e stadiumeve amerikane, një nga figurat më të spikatura të turneut është bërë Michel Kuka Mboladinga, i njohur nga të gjithë si “Lumumba”, tifozi më i famshëm i Republikës Demokratike të Kongos.
Pas mungesës në ndeshjen debutuese të kombëtares së tij ndaj Portugalisë për shkak të procedurave të hyrjes dhe kontrolleve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara, ai arriti më në fund t’i bashkohej ekipit dhe tifozëve kongolezë në sfidën kundër Kolumbisë.
Prania e tij në stadium u kthye menjëherë në një ngjarje më vete. Me veshjen karakteristike dhe stilin që e ka bërë të njohur në mbarë Afrikën, “Lumumba” u rrethua nga dhjetëra tifozë që kërkonin fotografi dhe selfie, duke e shndërruar në një nga personazhet më të fotografuar të Botërorit.
Gjatë pushimit të ndeshjes, ai tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mediave, duke u bërë pjesë e atmosferës festive që po karakterizon edicionin e sivjetshëm të Kupës së Botës.
Nofka “Lumumba” lidhet me figurën historike të Patrice Lumumba, liderit të pavarësisë së Kongos dhe një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kombëtar të vendit. Pikërisht prej kësaj figure frymëzohen edhe pozat e tij karakteristike, të cilat prej vitesh e kanë bërë të njohur në arenën ndërkombëtare.
Ai fitoi popullaritet të madh gjatë edicionit të fundit të Kupës së Kombeve të Afrikës, ku kombëtarja kongoleze zhvilloi një paraqitje të suksesshme, ndërsa vetë “Lumumba” u kthye në një ikonë të tribunave.
Përtej rolit të tifozit, Michel Kuka Mboladinga vazhdon të përdorë vëmendjen që merr në stadiume për të përcjellë mesazhe sociale. Në tribunat e Guadalajarës ai përsëriti gjestin e tij të njohur, duke mbuluar gojën dhe duke imituar një armë të drejtuar drejt kokës.
Ky veprim simbolik është një formë proteste që ai e ka përdorur prej vitesh për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj krizës humanitare dhe konfliktit të vazhdueshëm në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?
Results
Vota totale: 19244

