Macron viziton Francën para Botërorit: Besojmë te ju, fitoni yllin e tretë!
Një javë përpara nisjes së Kupës së Botës 2026, presidenti francez Emmanuel Macron ka vizituar grumbullimin e Kombëtares së Francës në Clairefontaine, duke u dhënë mbështetje lojtarëve dhe stafit teknik në prag të aventurës botërore.
Kreu i shtetit francez zhvilloi një takim me trajnerin Didier Deschamps dhe futbollistët e përfaqësueses, ndërsa gjatë vizitës përcolli një mesazh motivues për skuadrën që synon të rikthehet në majën e futbollit botëror.
“Kam besim të plotë te kjo skuadër. E njoh forcën e grupit, vazhdimësinë dhe punën që është bërë gjatë viteve nën drejtimin e Didier Deschamps. Keni ndërtuar diçka të rëndësishme dhe keni gjithçka për të qenë konkurrues në këtë Botëror”, u shpreh Macron.
Presidenti francez theksoi se favoritët humbasin rëndësinë sapo nis turneu, duke nënvizuar se çdo ndeshje duhet përballuar me përkushtim maksimal.
“Sapo të nisë kampionati, nuk do të ketë më favoritë. Në fushë do të jenë vetëm dy skuadra dhe diferencën do ta bëjnë sakrifica, përkushtimi dhe dëshira për të fituar”, deklaroi ai.
Macron nuk e fshehu dëshirën për ta parë Francën të fitojë titullin e tretë botëror në histori.
“Do të ishte e jashtëzakonshme të shihnim yllin e tretë mbi stemën e Francës. Është një ëndërr që e ndajmë të gjithë, por e dimë se sukseset nuk vijnë rastësisht. Duhet punë dhe sakrificë për t’i arritur”, shtoi presidenti.
Në fund të fjalës së tij, Macron u kujtoi lojtarëve se do të kenë pas vetes mbështetjen e gjithë vendit gjatë rrugëtimit në Shtetet e Bashkuara.
“Mos harroni kurrë se miliona francezë do t’ju mbështesin në çdo hap. Jepni maksimumin tuaj, sepse mundësi të tilla janë të rralla në karrierën e një sportisti”, përfundoi ai.
Franca do të debutojë në Kupën e Botës më 16 qershor përballë Senegalit, ndërsa para nisjes së turneut do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore ndaj Bregut të Fildishtë dhe Irlandës së Veriut, që do të shërbejnë si testet e fundit për skuadrën e Didier Deschamps.
KOHA JONË SONDAZH

