Maganit i afrohet rinovimi, Tirana test me 11-metërsha për kualifikimin në Laç
Presidenti i Tiranës Refik Halili konfirmon trajnerin Gugash Maganin deri në fund të këtij sezoni, madje është gati t’i afrojë kontratë edhe për edicionin e ardhshëm. Mësohet se gjithçka varet nga kualifikimi në kupë ndaj Laçit. Nesër bardheblutë do të diskutojnë kalimin në finale, përballë Laçit pasi ndeshje e parë përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Ndërkohë skuadra bardheblu vazhdon përgatitjet e saj, për gjysmëfinalen e kthimit, ndaj Laçit. Tirana është duke u përgatitur që ndeshja të shkojë edhe me 11-metësha. Pas një analize dhe 11-metershave në “Skënder Halili” ka qenë axhenda e fundit stërvitore, sepse parashikohen edhe penalltitë, në rast se ka dhe aty një rezultat 0-0. Fillimisht trajneri Gugash Magani ka zhvilluar një analizë me skuadrën për të diskutuar mbi strategjinë e ndeshjes së kthimit ndaj Laçit. Tekniku i ka kërkuar lojtareve të luajnë me zemër dhe të besojnë tek kualifikimi. Në fund të seancës stërvitore skuadra ka praktikuar goditjet e 11-metërshave. Bardheblutë po marrin masat për çdo situatë në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Laçit. Për trajnerin Gugash Magani, edhe trofeu i kupës është një objektiv, ndoshta në heshtje më shumë se sa kampionati. Por në Kategorinë Superiore, Tirana me 63 pikë do të mund të provojë deri në fund shanset e saj, për titull. Ndonëse tre pikë pas Skënderbeut kryesues dhe me pikë të barabarta me Kukësin, 24 herë kampionët e vendit kanë shanse reale. Kësisoj, vetëm nëse Tirana nuk siguron një vend në Europë, e ardhmja e Gugash Maganit tek kjo skuadër mund të komplikohet.
KOHA JONË SONDAZH

