“Magjia” ndaj Chelsea-t mund të ndryshojë fatin e Zhegrovës te Juventusi
Një gol si rrufeja mund të ndryshojë gjithçka për Edon Zhegrovën te Juventusi. Sulmuesi kosovar, i njohur për shpejtësinë dhe shpërthimet e tij në fushë, mund të ketë gjetur momentin që i ndryshon rrjedhën aventurës së tij në Torino.
Sezoni i parë me fanellën bardhezi nuk ishte ai që pritej për Zhegrovën. Ai dhuroi disa momente magjie dhe aksione që emocionuan tifozët, por i mungoi konkretizimi. Në fund të sezonit të parë në Itali, kosovari nuk arriti të shënojë asnjë gol.
Madje, momenti që ndikoi më shumë negativisht në përvojën e tij te Juventusi ishte gjuajtja e gabuar në ndeshjen e “play-off”-it ndaj Galatasarayt, një episod që e shoqëroi gjatë gjithë pjesës tjetër të sezonit.
Por tani, një gol spektakolar ndaj Chelsea-t mund të jetë kthesa pozitive për Zhegron. Një moment që i rikujtoi të gjithëve cilësitë e tij dhe që kishte impresionuar edhe trajnerin Luciano Spalletti.
“Më ka impresionuar shpejtësia që ka, sepse është vërtet një rrufe në hapësira të ngushta”, kishte deklaruar Spalletti për lojtarin kosovar.
Trajneri i Juventusit kishte vlerësuar edhe teknikën e veçantë të Zhegrovës, duke iu referuar një veprimi spektakolar me topin, të cilin e quajti “zeppetta”.
“Ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme në prekjen e topit. Bën atë lëvizjen ku e kalon topin mbi kundërshtarin me saktësi perfekte. Është cilësi, teknikë dhe shpejtësi”, ishte shprehur Spalletti.
Megjithatë, potenciali i Zhegrovës gjatë sezonit të kaluar u pengua nga problemet fizike. Pubalgjia e shqetësoi për një periudhë të gjatë dhe ndikoi në ritmin e tij, një problem që edhe vetë futbollisti e ka pranuar.
Goli ndaj Chelsea-t dhe kombinimi i tij teknik me Kenan Yildiz treguan një version tjetër të Zhegrovës: jo vetëm një lojtar spektakolar në pamje të parë, por edhe një futbollist më konkret dhe vendimtar.
Nëse tashmë ka lënë pas problemet fizike, kosovari mund të bëhet një armë shumë e rëndësishme për Spallettin. Shpejtësia, kreativiteti dhe aftësia për të krijuar superioritet në duele një kundër një mund ta kthejnë Zhegron në “rrufenë” që i duhet Juventusit për të ndryshuar ritmin e sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

