Makina e re e Ferrarit, zbulohet mw 30 janar
Ferrari njoftoi zyrtarisht të gjithë sportdashësit dhe të apasionuarit pas “kokëkuqes”, se makina e re për Botërorin e 2015-s do të prezantohet në faqen e internetit, më 30 janar. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate të shkurtër. – “Njëvendëshja Ferrari F1 do të zbulohet përpara syve të botës në faqen e internetit të skuderisë italiane dhe në platformat dixhitale e sociale, gjatë së premtes së 30 janarit. Deri atëherë, do të jepen përditësime të vazhdueshme, të cilat do t’u lejojnë të apasionuarve dhe punonjësve të brendshëm të ndjekin aktivitetin në Maranello. Emri i veturës së re, ora e saktë e lançimit dhe detaje të tjera të pazbuluara do të jepen gjatë këtyre përditësimeve. Makina e re do të marrë pjesë edhe në seancën e parë të testimeve dimërore, në program nga 1 deri në 4 shkurti, në pistën e Jerez de la Frontera”. Sigurisht që këtë herë pritet të jetë 4 herë kampioni i botës, Sebastian Vettel, ai që do të heqë mbulesën e kuqe nga njëvendëshja që do të drejtojë në sezonin e parë të tij me “kokëkuqen”, në ndjekje të gjurmëve të idhullit të tij, Michael Schumacher.
KOHA JONË SONDAZH

