“Mallkimi” Harry Kane, nuk ka fituar asnjëherë finale me klubet dhe Anglinë
Sulmuesi i Anglisë, Harry Kane pritet të jetë titullar sot në finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë. Edhe pse duket e pabesueshme, Kane nuk ka fituar asnjë trofe me klubet ku ka luajtur, apo me kombëtaren e “Tre Luanëve”.
Në vitin 2015 ai luajti finalen e parë në ‘Carabao Cup’ me Tottenhamin, por ekipi i tij humbi me rezultat 2-0 ndaj Chelsea-t të Mourinhos. Në vitin 2019, Tottenhami arriti finalen e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit. Harry Kane humbi sërish 2-0 kundër Liverpoolit.
Vitit 2021 parashikohej të ishte viti i Kane. Finalist i dyfishtë në Carabao Cup dhe në Euro 2020 që u luajt një vit më vonë për shkak të pandemisë Covid-19. Sërish Kane u dëshpërua, pasi ‘Tre Luanët’ humbën finalen ndaj Italisë në penallti, ndërsa humbje pësuan edhe në finale të ‘Carabao Cup’ ndaj Manchester Cityt me rezultatin 1-0.
Në verën e kaluar ai kaloi te Bayerni në Gjermani, teksa u duk se do ta thyente mallkimin e tij. Në ndeshjen e parë zyrtare të Harry Kane me bavarezët në Superkupën e Gjermanisë, një hat-trick nga Dani Olmo i dha fitoren Leipzigut. Sezoni i tij i parë në Munich, doli të jetë sezoni i parë pa tituj për Bayernin që nga sezoni 2011-2012.