Manaj bëhet çështje në Turqi, Federata Turke hap hetimet për ndërhyrjen e tij

Rei Manaj është bërë protagonist siç nuk do të dëshironte në kampionatin turk sot në ndeshjen mes Sivasporit të tij dhe Galatasaray-it. Sulmuesi shqiptar ka dëmtuar në fundin e sfidës Barish Alper Jillmaz, me një ndërhyrje për të cilin ai mori vetëm kartonin e verdhë.

Episodi në fjalë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka sjellë reagime të shumta, pasi është vlerësuar si i pakuptimtë vendimi i gjyqtarit për të mos i dhënë kartonin e kuq Manajt. Federata ka dalë me një njoftim zyrtar, duke bërë të ditur se ka hapur hetim për këtë ngjarje.

“Ndjejmë keqardhje për dëmtimin e pësuar nga Barısh Alper Jillmaz, një lojtar me vlerë për Galatasaray dhe ekipin tonë kombëtar, si pasojë e një ndërhyrje josportive në ndeshjen e luajtur sot Sivaspor-Gallatasaraj.

Federata dëshiron të informojë opinionin publik se ky incident i trishtë do të hetohet në detaj dhe do të bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që përgjegjësit të marrin ndëshkimin e nevojshëm disiplinor. Shëndeti dhe siguria e çdo lojtari që është pjesë e futbollit turk, është prioriteti ynë”, shkruhej në këtë komunikatë.

Por përveç kësaj, ka qenë presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haçiosmanoglu, ai që pa paralajmëruar për sanksione ndaj gjyqtarit Turgut Doman që nuk nxori kartonin e kuq ndaj Manajt.

“A keni parë ndonjëherë një gjë të tillë në jetën tuaj? Ne nuk do të lejojmë askënd të luajë me dinjitetin dhe nderin tonë. Qoftë ky një gjyqtar apo kushdo tjetër… Nuk kam parë ndonjëherë diçka më të turpshme. Nuk është e mundur të aprovosh vendime që merren kundër krenarisë tonë, një lojtari të ekipit kombëtar. Do të bëjmë çfarë është e nevojshme”, theksoi ai në një mesazh të shkurtër për mediat.

SHKARKO APP