Manchester, policia tallet me Wayne Rooneyn
Momenti negativ që po kalon Wayne Rooney me fanellën e Manchester United ka futur në lojë edhe policinë e qytetit. Një postim i pamenduar mirë nga Departamenti i Policisë së Manchesterit në Twitter po bën xhiron e botës. Të dielën në mbrëmje, ky departament shfaqi për disa komente postimin me tekst: “Një person i zhdukur. Wayne Rooney është parë për herë të fundit në zonën e “Old Trafford” i veshur me një bluzë të kuqe. Nëse e shikoni, njoftoni kolegët e Greater Manchester Police Urmston”.
Një shaka që me shumë mundësi është ideuar nga nje polic tifoz i kushërinjve të urryer të Manchester City-t por që provokoi një reagim të menjëhershëm. Për momentin, departamenti nuk ka reaguar me falje në drejtim të lojtarit që po kalon vërtet një moment të errët në karrierën e tij. Këtë sezon të Premier League ai ka shënuar vetëm dy gola, ndërsa nuk ka arritur ta prekë rrjetën në UEFA Champions League. Në ndeshjen derbi, sulmuesi nuk e goditi asnjëherë portën, ndërsa humbi plot 28 topa. Gjithsesi, një shaka e tillë nga departamenti i policisë duket vërtet e tepërt.
KOHA JONË SONDAZH

