Manchester United ndalet në barazim nga West Ham, Dalot nuk mjafton për fitoren
Manchester United dhe West Ham kanë ndarë pikët në sfidën e vlefshme për javën e 14-të të Premier League, e cila u mbyll me rezultatin 1-1. Ndeshja e zhvilluar në Old Trafford pa skuadrën e drejtuar nga Amorim të humbiste një shans për t’u ngjitur në klasifikim, edhe pse arriti të barazonte Liverpoolin me pikë. Përballja mes “Djajve të Kuq”, të cilët vinin pas fitores ndaj Crystal Palace, dhe “Hammers” të Nuno Espirito Santo, që kishin pësuar humbje nga Liverpool, ishte e luftuar, por në fund asnjëra skuadër nuk mori fitoren.
Pjesa e parë u karakterizua nga disa mundësi shënimi, por pa arritur të zhbllokohej rezultati. Të parët që rrezikuan ishin miqtë me anë të Mbeumo, por portieri Areola u tregua i vëmendshëm. Vendasit u përgjigjën menjëherë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm. Zirkzee detyroi mbrojtësin Wan-Bissaka të bënte një ndërhyrje vendimtare për të shpëtuar portën, ndërsa një tentativë me roveshatë nga Cunha nuk gjeti kuadratin. Rreth gjysmë ore lojë, Bruno Fernandes iu afrua golit me një volej të bukur, por fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ekuilibri u prish në pjesën e dytë, kur në minutën e 58-të, mbrojtësi Diogo Dalot, ish-lojtari i Milanit, kaloi Manchester United në avantazh me një goditje të saktë. Kur dukej se vendasit po shkonin drejt një fitoreje të rëndësishme, ishte Magassa ai që vendosi baraspeshën për West Ham në minutën e 84-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1. Me këtë barazim, Manchester United ngjitet në kuotën e 22 pikëve, njësoj sa Liverpool, ndërsa West Ham arrin në 12 pikë në renditjen e kampionatit anglez.
KOHA JONË SONDAZH

