
Trajneri i Kombëtares, Maran, është shfaqur i kënaqur në konferencën për shtyp pas fitores 2-0 ndaj Finlandës, duke vlerësuar jo vetëm rezultatin, por edhe paraqitjen e skuadrës. Tekniku theksoi rëndësinë e vazhdimësisë, ndërsa bëri thirrje që lojtarët të mos ulin ritmin dhe të ruajnë të njëjtin nivel edhe në sfidën e radhës ndaj Bjellorusisë. Maran u shpreh se skuadra duhet ta shijojë suksesin, por pa humbur përqendrimin për ndeshjen e ardhshme.
“Duhet ta shijojmë fitoren tani pas ndeshjes. Nesër do të fokusohemi te Bjellorusia. Jam i lumtur sepse kemi kënaqur tifozët, të cilët u gëzuan për ne. Jam i lumtur jo vetëm për rezultatin, por edhe për lojën”, deklaroi ai.
Sa i përket paraqitjes individuale të futbollistëve, trajneri vlerësoi kontributin e disa lojtarëve, duke veçuar Pilo, Hysajn dhe Mitajn, i cili po përshtatet me një rol të ri në fushë.
“Nuk është vetëm Pilo, por edhe lojtarët e tjerë që kanë bërë mirë. Po ashtu Hysaj në krahun tjetër, apo edhe Mitaj, që po bën një rol që nuk e ka bërë më parë. Lojtarë të ndryshëm kanë bërë paraqitje shumë të mira”, u shpreh Maran.
Tekniku u ndal edhe te aspekti taktik, duke theksuar se skuadra duhet të ruajë intensitetin gjatë gjithë ndeshjes dhe të mos lejojë kundërshtarin të përfitojë nga momentet kur ritmi bie.
“Ne nuk duhet të ulim ritmin. Duhet ta vendosim gjithmonë kundërshtarin në vështirësi dhe të mos lëmë hapësira. Kur ulim ritmin, kjo na ka vënë në vështirësi. E kemi parë edhe në të kaluarën”, theksoi trajneri.
Maran e konsideroi përballjen me Finlandën një ndeshje të ekuilibruar, por vlerësoi përmirësimin e skuadrës në pjesën e dytë, veçanërisht në fazën sulmuese.
Në fund, trajneri komentoi edhe golin e Muçit, duke vënë në plan të parë rëndësinë e tij për skuadrën dhe jo bukurinë e realizimit. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Laçit, i cili sipas tij arriti të interpretojë siç duhet rolin mes linjave.
“Sa i përket golit të Muçit, gjithmonë zgjedh rëndësinë dhe jo bukurinë e golit. Muçi i ka pjesë të tij golat e bukur. Ai ndihet i rëndësishëm për skuadrën dhe ndoshta ka pasur nevojë për këtë. Laçi ka gjetur konotacionin e duhur të ndeshjes. Na duhej një lojtar që luan mes linjave për të vënë në vështirësi kundërshtarin dhe e ka bërë më së miri”, përfundoi Maran.
