Maran zbulon planet për Kombëtaren: “Shpresoj të sjellim futbollistë të rinj te Shqipëria”
Rolando Maran po vijon punën për të zgjeruar alternativat e Kombëtares shqiptare, duke paralajmëruar se në grumbullimet e ardhshme mund të shfaqen edhe emra të rinj.
Trajneri italian ka nisur një periudhë intensive vëzhgimi të futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në kampionate të ndryshme europiane. Në vetëm 14 ditë, Maran planifikon të vizitojë rreth shtatë vende, me qëllim që të ndjekë nga afër lojtarët dhe të vlerësojë formën e tyre.
Sipas tij, ndeshjet e kampionateve janë mënyra më e mirë për të kuptuar gjendjen reale të një futbollisti. Për këtë arsye, vëmendja nuk do të jetë vetëm te lojtarët që tashmë janë pjesë e Kombëtares, por edhe te ata që nuk kanë pasur ende mundësinë të tregojnë veten me fanellën kuqezi.
“Po përpiqem të kuptoj, përtej futbollistëve të zakonshëm që kanë veshur fanellën e Kombëtares, nëse ka emra të tjerë që mund të jenë të dobishëm”, është shprehur Maran.
Trajneri italian nuk e përjashton mundësinë e afrimeve të reja dhe shpreson që vëzhgimet e tij të sjellin alternativa të vlefshme për Shqipërinë.
“Shpresoj të sjell emra të rinj. Dhe kjo nuk do të jetë merita ime, por do të jetë merita e lojtarëve”, ka deklaruar ai.
Një nga kriteret kryesore të Maran për përzgjedhjen e futbollistëve është aktivizimi i rregullt. Sipas tij, për një lojtar të Kombëtares është shumë e rëndësishme të ketë minuta dhe vazhdimësi në klubin ku luan.
Për trajnerin, emri i një futbollisti apo niveli i klubit nuk mjafton për të garantuar një ftesë. Forma aktuale, minutat e luajtura dhe paraqitjet në fushë do të jenë vendimtare.
Tashmë pritet të shihet nëse vëzhgimi i Maran në kampionatet europiane do të sjellë emra të rinj në përfaqësuesen shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

