Martini: Jemi më lart se Kukësi, synojmë Kupën dhe kampionatin

Teuta luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme. Durrsakët kanë objektiv të dy trofetë teksa ndaj Kukësit në “Niko Dovana” vihet në diskutim triumfi në Kupën e Shqipërisë, kompeticion ku janë fitues në fuqi. Para kësaj sfide në konferencë për mediet doli trajneri i durrsakëve, Edi Martini.

“Në ndeshjen me Kastriotin kemi nxjerrë mësimet e duhura, që duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet e bëra. Kukësi është ekip mjaft i mirë, por po të na krahasosh ne me ata, jemi më lart. Në dy ndeshje me ta kemi barazuar këtë sezon dhe kemi fituar një herë në fushën e tyre. Kemi qenë superiorë dhe na kanë barazuar në fund.

Skuadra është në rregull, djemtë janë mirë, përveç Grudës që nuk do jetë pjesë e ekipit, të tjerët janë gati. Këtë sezon kemi objektiv Kupën dhe kampionatin. Deri tani jemi në rrugën e duhur pavarësisht barazimit të fundit. Edhe në Kupë kemi ecuri të mirë, duam gjysmëfinalen sepse është në objektivat tona. Kemi bërë një grup që të përballojë edhe Kupën, edhe kampionatin, kështu që nuk i ndaj Kupën apo kampionatin, megjithëse po të lija njërën për tjetrën do doja kampionatin.

Jemi ekip që bëjmë lojën tonë dhe nuk presim asnjë veprim tjetër jashtë fushës. Ndeshjeve po i vjen fundi, ka nisur numërimi mbrapsht dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Partizani është rival direkt, por më parë kemi ndeshjen e nesërme”, u shpreh Martini.

SHKARKO APP