Mats Hummels nuk largohet, Dortmundi: Nuk kemi asnjë ofertë
Shefi Ekzekutiv i Borussias së Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, kërkon të qetësojë tifozët e skuadrës pas deklaratës së Mats Hummels se po studion mundësitë për të luajtur jashtë Gjermanisë. Sipas drejtuesit të lartë verdhezi, për 26-vjeçarin nuk ka ardhur asnjë ofertë nga ndonjë klub i madh europian, ndaj nuk është aspak i shqetësuar me ato që shkruhen në media, veçanërisht për një transferim të mundshëm të futbollistit në “Old Traford”, për t'u vënë nën urdhrat e Luis Van Gaal. – “Mats ka kontratë me ne deri në vitin 2017 dhe ne nuk kemi marrë asnjë ofertë për kartonin e tij, kështu që jemi të qetë. Ai pati një bisedë dy javë më parë me drejtorin sportiv Michael Zorc të cilit i tha se po mendonte për të ardhmen dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe.” Hummels është formuar si futbollist në akademinë e Bayernit të Mynihut, por u largua nga bavarezët drejt Dortmundit në janar të 2008, fillimisht në formën e huazimit e më pas me titull përfundimtar..
KOHA JONË SONDAZH

