Mbappe dhe Dembele përplasen para ceremonisë së “Topit të Artë”
Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele duket se janë përfshirë në një përplasje të re jashtë fushës, pikërisht në një moment kur të dy konsiderohen ndër kandidatët për fitimin e Topit të Artë.
Mbappé, në një intervistë për “France Football”, e cilësoi veten si një prej favoritëve kryesorë për çmimin prestigjioz, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin e tij te kombëtarja franceze, Dembele.
Por ajo që ka shkaktuar më shumë reagime ishte mënyra se si sulmuesi foli për kolegun e tij. “Dembélé gjithmonë është parë si një lojtar me talent. Ndërsa mua më kanë parë gjithmonë si të zgjedhurin”, deklaroi Mbappé.
Sipas ish-futbollistit dhe analistit të “RMC Sport”, Jérôme Rothen, këto fjalë kanë prekur rëndë Dembélén.
“Dembélé e mori shumë keq. Ai është shumë i zemëruar me Mbappén. Për të, kjo është një formë tradhtie”, u shpreh Rothen.
Analisti francez pretendon gjithashtu se në kombëtaren franceze po krijohen dy kampe, me disa lojtarë që janë më pranë Dembélés sesa Mbappés.
Sipas tij, tensionet mes sulmuesit të Real Madridit dhe disa prej lojtarëve të Francës janë shfaqur prej kohësh dhe deklaratat e fundit rrezikojnë t’i thellojnë edhe më shumë. Përballja mes dy yjeve pritet të jetë një nga historitë më të diskutuara të garës për Topin e Artë.
KOHA JONË SONDAZH

