Mbappe: Reali si dhuratë nga Zoti, por një ditë do më duhet të largohem
Në një intervistë për “GQ”, ylli i Real Madrid, Kylian Mbappé, ka folur për të tashmen e tij, zhvillimin personal dhe kërkesat e futbollit në nivelet më të larta, mes klubit madrilen dhe rolit si kapiten i Francës.
Sulmuesi francez theksoi ndikimin e madh që ka pasur Reali në karrierën e tij: “Për mua është si një dhuratë nga Zoti. Të kem mundësinë të jetoj pasionin tim, të luaj ndeshjet më të rëndësishme dhe të jem në klubin më të mirë në botë. Jam gjithmonë mirënjohës që jam në fushë dhe që zgjohem çdo mëngjes për të bërë atë që më bën të lumtur”.
Ai vlerësoi edhe Santiago Bernabéu dhe futbollin spanjoll, duke theksuar se ndjen kënaqësi të veçantë kur luan në një nga ambientet më prestigjioze në botë.
Mbappé u ndal edhe te aspekti psikologjik, duke nënvizuar se rikuperimi nuk është vetëm fizik: “Rikuperimi është edhe mendor”, u shpreh ai, duke folur për presionin e madh mediatik. Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë e ndarjes së jetës private nga ajo profesionale: “Klubi është punë, ndërsa shtëpia është vend qetësie”.
Sulmuesi kritikoi edhe ritmin e ngjeshur të kalendarit: “Jetojmë në një epokë konsumi të tepruar”, duke paralajmëruar se lojtarët nuk mund të jenë gjithmonë në maksimum për shkak të kufizimeve fizike dhe mendore.
Në fund, Mbappé foli edhe për të ardhmen, duke pranuar se ndryshimet janë të pashmangshme në karrierën e një futbollisti: “Një ditë do të më duhet të largohem”.
KOHA JONË SONDAZH

