Mbappe shpërthen ndaj senatores paraguaiane pas komenteve raciste: Je e padenjë për detyrën që mban!
Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka reaguar ashpër ndaj komenteve raciste të bëra në adresë të tij nga senatorja paraguaiane Celeste Amarilla, pas fitores së Francës ndaj Paraguait në fazën e 1/8-ve të Kupës së Botës. Përmes një postimi në rrjetin social X, sulmuesi francez e cilësoi senatoren si “një grua të neveritshme dhe të padenjë për postin që mban”, duke dënuar gjuhën e saj fyese dhe raciste.
“Zonjë, ju jeni e padenjë për detyrën që mbani. Nuk përfaqësoni Paraguajin, një vend që tregoi pasion dhe dinjitet gjatë gjithë turneut. Me papërgjegjshmërinë dhe racizmin tuaj të hapur, bota ka harruar tashmë rrugëtimin historik të kombëtares suaj dhe kujton vetëm një politikane që i jep vendit të saj imazhin më të keq të mundshëm. Nuk do të lejoj kurrë që njerëz si ju të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën”, shkroi Mbappé.
Debati nisi pasi senatorja Celeste Amarilla publikoi disa mesazhe në rrjetet sociale, ku përdori fyerje me përmbajtje raciste ndaj futbollistit francez. Ajo e quajti Mbappen “kamerunas i kolonizuar që shtiret si francez”, “i pasur i ri, arrogant dhe i shëmtuar”, si dhe “një njeri i pagdhendur që nuk ka mësuar kurrë të shkruajë”. Në një tjetër postim, Amarilla shkroi se “e vetmja gjë për të cilën shumë prej nesh e kritikojnë kombëtaren e Paraguajit është se nuk i dha një shuplakë të mirë në fund të ndeshjes”.
Reagimi i saj është dënuar gjerësisht. Qeveria e Paraguajit publikoi një deklaratë zyrtare, ku theksoi se komentet e senatores janë në kundërshtim me vlerat e bashkëjetesës paqësore dhe respektit për dinjitetin njerëzor dhe nuk përfaqësojnë as qeverinë, as popullin paraguajan.
Edhe Federata Franceze e Futbollit i cilësoi deklaratat e Amarillas si “plotësisht të neveritshme” dhe “të papranueshme”, duke bërë të ditur se do ta referojë çështjen në prokurori për nisjen e procedurave ligjore.
Ndërkohë, ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, shprehu mbështetjen e saj për Mbappén, duke deklaruar se sulmet ndaj kapitenit të Francës janë një sulm edhe ndaj vlerave që përfaqëson vendi.
“Duke sulmuar Kylian Mbappen, senatorja sulmon gjithçka që ai përfaqëson dhe gjithçka që përfaqëson Franca: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë”, u shpreh Ferrari.
KOHA JONË SONDAZH

