
Kylian Mbappe ka vlerësuar paraqitjen kolektive të Real Madridit pas fitores 2-1 ndaj Barcelonës në El Clásico, duke theksuar se suksesi ndaj rivalëve të përjetshëm është rezultat i punës në grup. Në deklaratat e dhëna për kanalin zyrtar të klubit pas përfundimit të ndeshjes, Mbappé theksoi se merita kryesore për triumfin i takon të gjithë ekipit.
“Kjo ishte një fitore e skuadrës. Ylli i vërtetë i ndeshjes është ekipi dhe grupi. E dinim se duhej të zhvillonim një paraqitje kolektive dhe u përgatitëm mirë gjatë ndeshjeve të fundit, duke marrë fitore dhe duke treguar paraqitje të mira, me një mentalitet të fortë”, u shpreh francezi.
Ai pranoi se përballja me Barcelonën nuk ishte e lehtë, pasi madrilenët u përballën me momente të vështira edhe gjatë periudhave kur kontrollonin lojën.
“Sot treguam gjithçka që kemi. Patëm momente të vështira gjatë ndeshjes, madje edhe kur ishim në kontroll të lojës. Në fund, fitorja dhe qëndrimi në garën për titullin janë shumë të rëndësishme. Duhet të vazhdojmë të punojmë, sepse kjo ishte një ndeshje e madhe, por na jep vetëm tri pikë. Ka ende shumë pikë për t’u fituar nëse duam të marrim titullin”, deklaroi Mbappé.
Për Mbappén, El Clásico ishte një tjetër mbrëmje e veçantë edhe në aspektin individual. Francezi realizoi dy gola në këtë përballje, duke e çuar në 14 numrin e golave në 13 ndeshje këtë sezon, si dhe arriti shifrën e 100 golave me fanellën e Real Madridit.
“Jam shumë i lumtur. Të gjithë e dinë se më pëlqen ta ndihmoj ekipin duke shënuar gola, por sot kjo është vetëm një detaj, sepse më e rëndësishmja është fitorja e skuadrës. Besoj se ky triumf do t’i japë grupit shumë besim. Sa u përket golave, mendoj se do të shënoj edhe shumë të tjerë”, u shpreh ai.
