Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme 2021, ja vendimet që u morën
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së 2021 u mblodh sot përmes video-konferencës në platformën online Microsoft-Teams. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj. Kjo asamble u përshëndet edhe nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe Zv.Presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson. Presidenti i FIFA-s, Infantino, duke iu drejtuar anëtarëve të Asamblesë së FSHF-së vlerësoi punën e vazhdueshme të Federatës në të gjitha drejtimet si edhe theksoi implementimin e standardeve të reja dhe moderne që do të fuqizojnë futbollin.
“Jam shumë i lumtur t’ju përcjell përshëndetjet e mia dhe t’ju uroj të gjithëve sot një Asamble te Përgjithshme Vjetore shumë produktive dhe të suksesshme. Jemi shumë të lumtur të shohim punën e madhe dhe të vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, si brenda dhe jashtë fushës. E ardhmja e futbollit është e varur nga modernizimi, prezantimi i teknologjive të reja dhe infrastruktura e duhur për këdo të përfshirë në zhvillimin e lojës, në të gjitha nivelet. Falë përkushtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe me mbështetjen e FIFA-s kemi parë implementimin e standardeve të reja dhe moderne, ndërkohë që presim shumë shpejt prezantimin e video asistent arbitrit diçka që ne presim të fuqizojë futbollin në Shqipëri.
Parimi themelor i vizionit tim për vitet 2020–2023 është ta bëj futbollin realisht global dhe progresi i Shqipërisë veçanërisht më jep kënaqësi. Është mahnitëse kur sheh një vend kaq pasionant për lojën, që ndërmerr hapa kyç, të sigurt drejt rritjes së konkurrueshmërisë së futbollit dhe zhvillimin e tij në të gjitha nivelet e tij.
Kujdesi i veçantë i treguar ndaj futbollit të femrave, me incentivime për klubet që të formojnë ekipe femrash është shumë i rëndësishëm, dhe pa dyshim, futbolli tashmë rezonon me më shumë femra e vajza në të gjithë vendin. Jemi shumë të lumtur të mbështesim ndërtimin e selisë së re të financuar me fondet e programit FIFA Forëard dhe infrastrukturën sportive të saj, çka përfaqëson një hap gjigand sot dhe për të ardhmen. Ndërkohë, kemi ofruar mbështetjen tonë gjatë pandemisë përmes Planit Lehtësues të FIFA-s për COVID-19.
I përcjellim urimet më të mira trajnerit Edoardo Reja dhe ekipit të tij për kualifikueset e Kupës së Botës. Ju jeni në një grup të fortë me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë, gjithashtu edhe Andorrën dhe San Marinon, dhe përgëzojmë ata – dhe ju – për fillimin e mbarë, duke përfshirë dy fitoret. President Duka, pjesëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju falënderoj. Ju lutem vijojeni këtë punë të madhe për ruajtjen e së ardhmes, integritetit dhe zhvillimit të futbollit shqiptar. Faleminderit dhe suksese në Asamblenë tuaj Vjetore”, tha në përshëndetjen e tij Presidenti i FIFA-s.
Një fjalë të shkurtër mbajti edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili vlerësoi progresin e bërë nga FSHF, rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar dhe vizionin e Presidentit Duka në drejtimin e këtij institucioni. Presidenti Duka sipas rendit të ditës ftoi përfaqësuesin e Komisionit të Verifikimit, Mikel Furxhi për të raportuar mbi thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Kjo asamble ka një rendësi të veçantë, pasi për herë të parë bëhet aplikimi i rregullave të reja statutore lidhur me anëtarësinë direkte dhe atë indirekte.
Në bazë të Neneve 28 dhe 92/3 të Statutit të FSHF Komisioni i Verifikimit ka bërë konstatimin e anëtarëve të drejtpërdrejtë të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në asamble me vendimin Nr. 1 datë 18.03.2021.
Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble nga 55 delegatë janë prezentë 52 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur ne Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë, vëren se thirrja e asamblesë së përgjithshme është kryer në përputhje me statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.
Mbledhja vijoi me fjalën përshëndetëse të Presidenti Duka, i cili renditi të gjitha aktivititetet e organizuara nga FSHF gjatë këtij viti, duke u ndalur në disa nga zhvillimet kyçe dhe iniciativat e ndërmarra në këtë periudhë, me fokus futbollin e femrave dhe atë të fëmijëve, që janë e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm tonin.Gjithashtu, presidenti i FSHF-së theksoi se solidariteti është nder vlerat fondamentale të futbollit, dhe ne e kemi shprehur në mënyrën më të natyrshme kurdo që nevoja ka qenë, ndaj kujtdo.
“Kemi qëndruar pranë çdo shqiptari të prekur nga tërmeti famëkeq i nëntorit 2019 dhe duke nisur nga çdo anëtar i administratës së FSHF-së, ekipi ynë kombëtar, lojtarë e staf teknik dhe federata simotra kane kontribuar për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e katër banesave të rrënuara nga ky tërmet. Jemi të lumtur që i kemi rikthyer në një strehë të sigurt këto familje, dhe do vijojmë t’i përgjigjemi kauzave sa herë ndihma do jetë e nevojshme”, tha Presidenti Duka.
Sipas Rendit të ditës vazhdoi me raportin e aktivitetit te FSHF për vitin 2020, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, paraqiti raportin financiar për vitin 2020, që përfshin pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe bilancin për vitin 2020. Ky raport u hodh në votim dhe u miratua nga anëtarët e Asamblesë. Në votim u kaluan edhe raporti i kompanisë audituese të pavarur “Grant Thorton” si edhe buxheti për vitin 2021, që u miratuan me konsensus.
Në pjesën e fundit u diskutua për zgjedhjen e anëtarëve te Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes se Konflikteve. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Enkelejd Alibeaj duke marrë fjalën tha se në përputhje me parashikimet e Nenit 69 të Statutit të FSHF, Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve përbëhet nga kryetari, dy nënkryetarë dhe dymbëdhjetë anëtarë të tjerë. Pesë anëtarë propozohen nga KE, pesë nga përfaqësuesit e klubeve dhe pesë nga përfaqësuesit e lojtarëve dhe trajnerëve.
Aktualisht DHKZK ka vetëm 10 anëtare prej të cilëve, për shkak të ezaurimit të dy mandateve 4-vjeçare, 6 nga anëtarët aktual nuk mund të rikandidojnë më për një mandat të tretë. Bazuar në propozimet e paraqitura kandidatët e propozuar u votuan me 51 vota nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.