Mbyllen pjesët e para/ Real-Juve ende pa gola, Bayerni dhe Liverpooli po fitojnë thellë
Mbrëmja e Champions League ka nisur me emocione të forta dhe gola spektakolarë në disa stadiume të Europës. Pas përfundimit të pjesëve të para, Bayern Munich, Chelsea dhe Liverpool po tregojnë forcën e tyre me fitore të thella.
Në “Allianz Arena”, Bayern Munich po udhëheq bindshëm 3-0 ndaj Club Brugge. Karl Lennart zhbllokoi shifrat që në minutën e 5-të, ndërsa Harry Kane dyfishoi avantazhin në të 14-ën. Luis Diaz vulosi dominimin e bavarezëve në minutën e 34-t, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultat të thellë.
Spektakël edhe në “Stamford Bridge”, ku Chelsea po fiton 4-1 ndaj Ajax-it. Holandezët mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 17-të, pasi Kenneth Taylor u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Facundo Buonanotte. Vetëm një minutë më vonë, Marc Guiu kaloi “Blutë” në avantazh pas asistit të Fofanas. Moises Caicedo dyfishoi me një goditje të fuqishme nga distanca (26’), por Ajax reagoi me Weghorst që shënoi nga penalltia (33’). Chelsea e mbylli pjesën e parë me dy penallti të realizuara nga Enzo Fernandez (45’) dhe Estevao (45+2’), duke shkuar në pushim me rezultat 4-1.
Në Gjermani, Liverpool ka përmbysur Eintracht Frankfurtin, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-3. Kristensen kaloi vendasit në epërsi (26’), por “The Reds” reaguan me rrufe: Ekitike (34’), Van Dijk (38’) dhe Konate në fund të pjesës së parë, përmbysën gjithçka në favor të skuadrës së Jurgen Kloppit.
Ndërkohë, Marseille po fiton 0-1 në transfertë ndaj Sporting Lisbonës, ndërsa në tri përballjet e tjera, Real Madrid-Juventus, Atalanta-Slavia Pragë dhe Monaco-Tottenham ende nuk ka gola.
KOHA JONË SONDAZH

