Mbyllet epoka e italianit Fulvio Pea në Kombëtare, largohet pas tri vitesh
Pas tre vitesh në krye të sektorit teknik te Federata Shqiptare e Futbollit, italiani Fulvio Pea ka njoftuar zyrtarisht largimin nga detyra, duke vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me institucionin më të lartë të futbollit në vend.
Pea, i cili mori detyrën në nëntor të vitit 2022 me mbështetjen e presidentit Armand Duka, u angazhua në një projekt afatgjatë për ristrukturimin e futbollit shqiptar, me fokus të veçantë në zhvillimin e moshave dhe përmirësimin e sistemit të trajnimit.
Me një eksperiencë të konsoliduar ndërkombëtare, përfshirë angazhime me klube si Inter dhe eksperienca në futbollin aziatik, Pea erdhi në Shqipëri me synimin për të ndërtuar një model modern menaxhimi teknik. Gjatë mandatit të tij, ai luajti një rol kyç në koordinimin e ekipeve kombëtare dhe në ngritjen e strukturave të reja për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve.
Në një mesazh lamtumire të publikuar së fundmi, tekniku italian e cilësoi periudhën në Shqipëri si një eksperiencë të rëndësishme në karrierën e tij: “Pas tre vitesh intensive dhe thellësisht domethënëse, koha ime si Drejtor Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbaruar. Mosrinovimi i kontratës sime ishte një vendim i menduar mirë, por një vendim që e mbaj me vete me shumë vetëdije. Këto kanë qenë vite sfiduese, ndonjëherë komplekse, por jashtëzakonisht formuese,” shprehet Pea.
Ai nuk harroi të falënderojë presidentin Duka, duke e cilësuar si një figurë kyçe në rrugëtimin e tij profesional: “Do të doja të shprehja falënderimet e mia të sinqerta për Presidentin A. Duka, i cili për mua ishte shumë më tepër sesa një udhërrëfyes institucional: një Maestro i vërtetë.”
Largimi i Pea-s vjen në një moment kur FSHF pritet të rishikojë strategjitë e saj teknike, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e këtij sektori në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

