Mbyllet epoka e Vlahovic te Juventusi, serbi ka qenë një dështim total
Aventura e Dusan Vlahovic te Juventus ka mbërritur në fund. Sipas mediave italiane, përpjekja e fundit mes palëve për rinovimin e kontratës ka dështuar, duke bërë që sulmuesi serb të largohet zyrtarisht më 30 qershor. Edhe ndërhyrja e trajnerit Luciano Spalletti, i cili e shihte Vlahovicin si një pikë kyçe të projektit të tij ofensiv, nuk ka arritur të ndryshojë situatën. Pengesa kryesore ka qenë aspekti financiar, që ka krijuar një distancë të pakapërcyeshme mes lojtarit dhe klubit.
Sulmuesi ka kërkuar një pagë prej 8-9 milionë eurosh në sezon, plus bonuse të konsiderueshme për firmë, ndërsa oferta e Juventusit ka qenë rreth 6–7 milionë euro. Ky hendek ka mbyllur përfundimisht bisedimet. Vlahovic u transferua te Juventusi në janar të vitit 2022 nga Fiorentina, në një marrëveshje që kapte vlerën e rreth 70 milionë eurove plus bonuse. Klubi bardhezi e konsideroi atë si një nga investimet më të mëdha të historisë së Serie A në merkato dimërore.
Në aspektin sportiv, sulmuesi serb pati një nisje premtuese, duke shënuar që në debutim në kampionat dhe në Champions League. Megjithatë, karriera e tij në Torino është shoqëruar edhe me probleme fizike, përfshirë periudha të gjata të vështira si pasojë e dëmtimeve. Pavarësisht luhatjeve në formë, Vlahovic ka arritur gjithsesi shifra të qëndrueshme golash, duke kaluar mbi 60 realizime në total me fanellën bardhezi dhe duke fituar edhe Kupën e Italisë në sezonin 2023/24.
Kontrata e tij e lartë, e cila në vitet e fundit ka arritur deri në rreth 12 milionë euro në sezon, është bërë shpesh objekt debati në ambientin juventin, sidomos në sezonet pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Sipas raportimeve, sinjalet e ndarjes ishin të dukshme që verën e kaluar, kur klubi kishte shqyrtuar mundësinë e shitjes së tij. Interes kishte nga Premier League dhe Arabia Saudite, por mungesa e një marrëveshjeje e mbajti në Torino edhe për një sezon tjetër.
KOHA JONË SONDAZH

