Mbyllet java e 10-të e Kategorisë së Parë! Bylis hap fals me Besën, Elbasani vijon ecurinë pozitive

Java e dhjetë e Kategorisë së Parë u mbajt këtë të hënë, ndërsa në disa sfida u dhuruan “show” golash. AF Elbasani triumfoi me rezultatin 2-4 në transfertën e Luzit. Bylis ngeci në barazim pa gola ndaj Besës së Kavajës, megjithatë vazhdon të kryesojë me 26 pikë, teksa miqtë e kësaj sfide renditen në vend të parafundit me nëntë pikë.

Flamurtari fitoi me rezultatin 0-1 në transfertën e Korabit, me golin e vetëm të këtij takimi që u shënua në minutë e 36’ nga Sidibe. Pas javës së dhjetë, Korabi renditet në vend të gjashtë me 11 pikë, teksa Flamurtari në vend të pestë me 18 pikë.

Vora-Lushnja ndajnë pikët, në sfidën që u mbyll me barazimin 2-2. Golat për vendasit u shënuan nga Raboshta në minutën e 45+3’ dhe Pereira në minutën e 86’. Teksa për miqtë shënuan Kasmollari në minutën e 15’ dhe Ayinde në minutën e 73’. Pas kësaj jave Vora renditet në vend të tretë me 19 pikë, teksa Lushnja pozicionohet në vend të shtatë me 11 pikë.

Kastrioti-Apolonia ndahen me barazimin 1-1, me Arapin që shënoi për vendasit në minutën e 3’ dhe Trifoni realizoi për miqtë në minutën e 30’. Pas këtij barazimi Kastrioti renditet në vend të tetë me 10 pikë, ndërsa Apolonia në vend të katërt me 18 pikë. Tomori-Burreli përfundoi me rezultatin 0-1, me golin e vetëm që u shënua në minutën e 63’ nga Naza.

SHKARKO APP