Mbyllet tabloja e çerekfinaleve të Botërorit 2026, Evropa dominon me 6 përfaqësuese

Pas fitores me përmbysje të Argjentinës dhe triumfit të Zvicrës pas goditjeve të penalltive, është kompletuar zyrtarisht tabloja e çerekfinaleve të Kupës së Botës 2026.

Evropa ka rikthyer dominimin e saj tradicional në skenën botërore, duke siguruar plot gjashtë përfaqësuese mes tetë skuadrave më të mira të kampionatit që po zhvillohet në Amerikën e Veriut. Amerika e Jugut përfaqësohet nga kampionia në fuqi, Argjentina, ndërsa Afrika vazhdon të ketë si përfaqësuese të vetme Marokun, i cili përsërit suksesin e Botërorit të Katarit 2022, kur arriti deri në gjysmëfinale.

Ndërkohë, të gjitha konfederatat e tjera kanë mbetur pa përfaqësues. Kombëtaret e Amerikës së Veriut dhe Qendrore u eliminuan në fazën e 1/8-ave të finales, ekipet aziatike u ndalën që në fazën e 1/16-ave, ndërsa Zelanda e Re, përfaqësuesja e vetme e Oqeanisë, e mbylli aventurën që në fazën e grupeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga tetë skuadrat që vazhdojnë garën për trofeun, katër ishin gjithashtu çerekfinaliste edhe në Botërorin e vitit 2022: Franca, Maroku, Anglia dhe Argjentina.

Swiss Digital Mobile Reklama

Risitë e këtij edicioni janë Belgjika, Spanja, Zvicra dhe Norvegjia.

Belgjika rikthehet mes tetë më të mirave pas mungesës në Katar, ku u eliminua që në fazën e grupeve, vetëm katër vjet pasi kishte përfunduar në vendin e tretë në Botërorin 2018.

Spanja arrin sërish në çerekfinale për herë të parë që nga triumfi i saj historik në vitin 2010.

Zvicra rikthehet në këtë fazë pas plot 72 vitesh, pasi hera e fundit ishte në Botërorin e vitit 1954, të organizuar në vendin e saj.

Më historik është kualifikimi i Norvegjisë. Në pjesëmarrjen e saj të katërt në një fazë finale të Kupës së Botës, norvegjezët kanë arritur për herë të parë në histori në çerekfinale, duke kaluar rekordin e mëparshëm, që ishte ndalja në fazën e 1/8-ave.

Kur ishin për herë të fundit në çerekfinale?

  • Franca – para 4 vitesh (Botërori 2022)
  • Maroku – para 4 vitesh (Botërori 2022)
  • Norvegjia – për herë të parë në histori
  • Anglia – para 4 vitesh (Botërori 2022)
  • Spanja – para 16 vitesh (Botërori 2010)
  • Belgjika – para 8 vitesh (Botërori 2018)
  • Argjentina – para 4 vitesh (Botërori 2022)
  • Zvicra – para 72 vitesh (Botërori 1954)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?