Mbyllet “telenovela” Alvarez, ky është vendimi i Barcelonës
Barcelona ka gjetur alternativën për repartin ofensiv dhe ka arritur marrëveshjen për transferimin e Gabriel Jesus nga Arsenali. Sulmuesi brazilian pritet t’i bashkohet klubit katalanas në ditët e ardhshme, pasi të kryejë testet mjekësore.
Lëvizja e Barcelonës vjen pasi tentativa për të transferuar Julian Alvarez nga Atletico Madridi ka hasur në një pengesë të pakalueshme. Klubi madrilen ka qëndruar i palëkundur në qëndrimin e tij dhe e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të negociojë shitjen e argjentinasit me Barcelonën.
Në këto kushte, Barça ka kthyer vëmendjen nga Gabriel Jesus dhe negociatat me Arsenalin kanë avancuar me shpejtësi. Sipas raportimeve të fundit, marrëveshja është arritur për një shumë rreth 10 milionë euro, ndërsa braziliani pritet të kryejë vizitat mjekësore përpara finalizimit të transferimit.
Pavarësisht afrimit të Gabriel Jesus, Barcelona nuk e ka mbyllur përfundimisht dosjen Julian Alvarez. Sulmuesi i Atletico Madridit vijon të jetë një objektiv i klubit katalanas, por situata aktuale e bën të pamundur një transferim në këtë merkato.
Atletico Madridi ka refuzuar publikisht mundësinë e shitjes së Alvarez te Barcelona, ndërsa situata e argjentinasit ka mbetur e tensionuar. Ai ka munguar përkohësisht në stërvitje për shkak të një problemi shëndetësor, por tashmë është rikthyer në aktivitet me klubin madrilen.
Barcelona pritet të rikthehet në tentativë për Alvarez në një nga sesionet e ardhshme të merkatos, nëse kushtet për një transferim ndryshojnë.
KOHA JONË SONDAZH

