Më shumë kurajo dhe kualitet, Juventus ka nisur të funksionojë edhe falë Zhegrovës
Pas një dhjetori përgjithësisht pozitiv, të shoqëruar me rezultate të mira përjashtuar ndalesën në Napoli, Juventusi e ka mbyllur vitin kalendarik me një fitore të rëndësishme nën “hijen” e Kullës së Pizës. Skuadra bardhezi triumfoi 2-0 në fushën e ekipit të drejtuar nga Alberto Gilardino, duke siguruar tre pikë të vlefshme për moralin dhe vazhdimësinë e sezonit.
Trajneri Luciano Spalletti festoi kështu mbylljen e vitit me një sukses që, ndonëse jo spektakolar, rezultoi thelbësor për ta përgatitur Juventusin me frymën e duhur për sfidat e vitit 2026. Formacioni i hedhur në fushë, i rregulluar edhe gjatë lojës, tregoi vazhdimësi me punën e bërë në javët e fundit dhe arriti të kapitalizojë maksimalisht pikët e fituara më herët në përballjet direkte për zonën Champions ndaj Bolognas dhe Romës.
Seria e fitoreve nuk ka rregulluar plotësisht renditjen pas startit të vështirë të sezonit, por e ka rikthyer Juventusin në mesin e garës, duke hedhur bazat për të konkurruar denjësisht me të gjithë rivalët dhe, me ndihmën e merkatos, edhe për të synuar më shumë.
Në Pisa u evidentuan edhe disa kufizime të skuadrës, veçanërisht mungesa e shkëndijës, e qarkullimit të shpejtë të topit dhe e kreativitetit në fazën ofensive, përjashtuar talentin e Kenan Yildiz. Në një mbrëmje jo fort të ndritur të turkut, i cili shënoi vetëm në fund të takimit pas një aksioni të rastësishëm, Spalletti u detyrua të kërkojë zgjidhje nga stoli.
Zgjedhja rezultoi vendimtare, pasi Edon Zhegrova, i futur gjatë lojës, solli energji dhe cilësi, duke u shfaqur sërish si një element i paparashikueshëm që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes. Një sinjal pozitiv për Juventusin, që e mbyll vitin me tri pikë dhe me besim për vazhdimësinë.
KOHA JONË SONDAZH

