Më shumë se futboll/ Si u ëndërrua dhe u realizua sfida e madhe e kuqezinjve në turneun Genuine Cup 2026
Kombëtarja shqiptare e futbollit për personat me aftësi të kufizuara intelektuale përfaqësoi me dinjitet vendin tonë në Genuine Cup 2026, turneun ndërkombëtar të futbollit të zhvilluar në Houston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga aktivitetet më të mëdha sportive gjithëpërfshirëse në botë. Në këtë edicion morën pjesë 53 ekipe nga vende të ndryshme të globit, ndërsa gjatë turneut u zhvilluan rreth 278 ndeshje. Shqipëria zhvilloi në total 9 takime, duke fituar një eksperiencë të vyer sportive dhe njerëzore.
Përtej rezultateve në fushën e lojës, pjesëmarrja në Genuine Cup ishte një tjetër dëshmi e angazhimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për promovimin e futbollit gjithëpërfshirës, duke u dhënë mundësi sportistëve me aftësi të kufizuara intelektuale të përjetojnë emocione të veçanta dhe të jenë pjesë e një aktiviteti ndërkombëtar të këtij niveli.
Në përfundim të turneut, përfaqësuesi i FSHF në këtë aktivitet, Florian Riza, vlerësoi eksperiencën dhe rëndësinë e krijimit të kësaj kombëtareje:
“Të krijosh një ekip futbolli është sfidë, të krijosh një ekip kombëtar futbolli është sfidë më e madhe, por të krijosh një ekip kombëtar të personave me aftësi të kufizuara intelektuale është sfidë akoma më e madhe.
Këtë sfidë në Houston të SHBA-së e përballuam me sukses. Arritëm të krijojmë një ekip kombëtar dinjitoz, i cili përfaqësoi Shqipërinë në këtë aktivitet shumë të madh, siç është pjesëmarrja e 53 ekipeve nga të gjitha shtetet e botës, ku u luajtën rreth 278 ndeshje gjithsej. Për ekipin tonë u luajtën 9 ndeshje.
Dy ishin objektivat tanë kryesorë: suksesi për sa i përket udhëtimit dhe të gjithë qëndrimit pa asnjë lloj problematike dhe, e dyta, ajo që do të na bënte shumë të lumtur ishte argëtimi i lojtarëve tanë në këtë eveniment. Këto të dyja i arritëm me sukses.
Kam parë lojtarë që e dashurojnë futbollin pavarësisht problematikave që kanë, lojtarë që luajnë me zemër, lojtarë që japin gjithçka. Falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin, falënderoj të gjithë lojtarët, falënderoj të gjithë stafin e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët ndihmuan dhe mbështetën pafundësisht që ky ekip të realizonte ëndrrën e tij.”
Për fshf.org foli edhe përfaqësuesja e përgjegjësisë sociale në FSHF, Pamela Ndocaj, e cila theksoi vlerën sportive dhe sociale të pjesëmarrjes në Genuine Cup:
“Ishte një eksperiencë vërtet fantastike për disa arsye, mbi të gjitha për faktin që patëm mundësinë të përfaqësonim Shqipërinë në një aktivitet të këtyre përmasave, sepse me të vërtetë kishte përmasa gjigande dhe, mbi të gjitha, me një ekip që përfaqëson barazinë, përfshirjen dhe fuqinë që futbolli ka për të bashkuar njerëzit.
Ishte një javë vërtet shumë e bukur, shumë intensive, si nga ana futbollistike, por edhe nga ana e aktiviteteve. Organizatorët na ndihmuan që të përjetonim në total eksperiencën amerikane dhe, specifikisht, atë teksane. Feedback-u që morëm nga lojtarët në fund ishte ai që na dha kënaqësinë më të madhe dhe na shtyn që ne, si Federata Shqiptare e Futbollit, të japim gjithmonë maksimumin tonë në mbështetje të grupimeve të personave me nevoja speciale.”
Pjesëmarrja në Genuine Cup 2026 shënon një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit gjithëpërfshirës në Shqipëri, duke konfirmuar angazhimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u ofruar mundësi të barabarta të gjithë sportistëve dhe për të promovuar vlerat e respektit, barazisë dhe përfshirjes përmes futbollit.
KOHA JONË SONDAZH

