Mehmeti nuk dorëzohet, trajneri i Ipswich i hap derën: Do të nxjerr më të mirën prej tij
E ardhmja e Anis Mehmetit mbetet ende në pikëpyetje, por një mundësi gjithnjë e më konkrete është që sulmuesi shqiptar të vazhdojë aventurën te Ipswich Town. 24-vjeçari është përfolur gjatë ditëve të fundit për një largim nga klubi anglez, me Wrexham dhe Birmingham City që kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar, pasi Mehmeti nuk ka dhënë dritën jeshile për transferimin.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, Wrexham kishte arritur marrëveshje me Ipswich Town për transferimin e lojtarit, por vetë Mehmeti ka refuzuar të bëhet pjesë e klubit uellsian. Raportimet sugjerojnë se shqiptari nuk është i bindur për të vazhduar karrierën në Championship. Në këtë situatë, Ipswich mund të jetë alternativa që i mbetet më pranë. Trajneri Gary O’Neil, pas humbjes 5-2 ndaj Manchester United, u pyet për të ardhmen e Mehmetit dhe mesazhi i tij ishte i qartë: lojtari është ende i mirëpritur në skuadër.
“Të gjithë lojtarët e këtij klubi janë të mirëpritur të qëndrojnë”, deklaroi O’Neil. Tekniku anglez shkoi edhe më tej, duke vlerësuar karakterin dhe aftësitë e sulmuesit shqiptar. “Anis është një djalë i shkëlqyer. Ai punon shumë dhe ka cilësi. Nuk ka asgjë konkrete nga ana ime për Anisin apo për ndonjë lojtar tjetër”, u shpreh trajneri i Ipswich.
O’Neil la të kuptohet gjithashtu se, nëse Mehmeti vendos të qëndrojë, ai do të jetë pjesë e planeve të skuadrës. “Nëse qëndrojnë në klub, ne do t’i përdorim dhe do të nxjerrim më të mirën prej tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Anisin”, shtoi ai. Fjala e fundit pritet të jetë e Mehmetit, ndërsa Gary O’Neil tashmë e ka bërë të qartë se dera e Ipswich nuk është e mbyllur për të.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se Erion Braçe apo Arbër Hajdari për kandidat për kryebashkiak në Tiranë nga PS?
Results
Vota totale: 2481

